Ballina Aktualitet Kush do t’i fitojë zgjedhjet dhe si do t’i bëjnë koalicionet, flasin...

Kush do t’i fitojë zgjedhjet dhe si do t’i bëjnë koalicionet, flasin analistët

Analistët politikë në vend kanë parashikuar një fitore tjetër të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet që priten të mbahen në fillim të vitit 2021, por jo në atë masë siç është parashikuar nga zyrtarë të kësaj partie, shkruan GazetaBlic.

Analisti i çështjeve politike në vend, Arton Demhasaj, ka thënë për GazetaBlic se partia e Albin Kurtit me shumë mundësi do të triumfojë në këtë zgjedhje, por që siç ka thënë ai, paraprakisht mund të ketë koalicione parazgjedhore, gjë kjo që do të ndikojë në ndryshim të epilogut përfundimtar të zgjedhjeve.

“Për t’u ditur fituesi i zgjedhjeve, duhet presim nëse do të ketë koalicione parazgjedhore. Në këtë drejtim kanë efekt edhe se kush janë kandidatët për kryeministër dhe listat për deputetë. Normalisht se ka një simpati më të madhe për Lëvizjen Vetëvendosje qysh kanë treguar edhe sondazhet, e njëkohësisht edhe rezultat në zgjedhjet e Podujevës”, është shprehur ai.

Demhasaj ka parashikuar disa koalicione që mund të bëhen para këtyre zgjedhjeve, ndërkohë që ka shtuar se partia e Fatmir Limajt mundet të bëjë një marrëveshje me PDK-në.

“Mendoj që Nisma do të bëjë koalicion me PDK-në, e që me gjasë mundet t’i bashkohet edhe AKR-ja. Pastaj, mundet me u pa se AAK-ja a do t’i bashkohet ndonjë partie, në këtë rast Vetëvendosjes dhe LDK-së. Ndërkaq, nëse Vjosa Osmani krijon ndonjë iniciativë ajo me shumë gjasë do të bëhet me VV-në se nuk ka alternativë tjetër”, ka thënë ai.Më tej, Demhasaj ka komentuar edhe sondazhin e fundit të publikuar nga Vetëvendosje, sondazh me të cilin VV thotë se do t’i fitojë 60 ulëse në Kuvend.

“Aspak nuk mundet t’i besojë këtij sondazhi se VV do t’i fitojë 60 deputetë. Është e pamundshme që në sistemin tonë zgjedhor një parti politike me i fitu 60 deputetë. S’ka mbërri as Ibrahim Rugova që ka pasur një përkrahje të madhe në popull, e aq më pak Vetëvendosje. Pra, VV mundet me arrit deri te 40 deputetë, por s’besoj që mundet me kalu kjo, pasi kem shumë parti politike që garojnë”, është shprehur ai.

Se që do të dalë fituese në këto zgjedhje Lëvizja Vetëvendosje e thotë edhe analisti tjetër, Shemsi Jashari.

“Në zgjedhjet qe po vijnë siç është bërë e zakonshme do të shohim një valë të aderimeve të figurave me profile të ndryshme në të gjitha subjektet politike, si tendencë për të krijuar opinion se partitë janë të hapura për figura të reja që kanë përgatitje të mira dhe që janë të pëlqyera nga publiku. Sipas matjeve të ndryshme del se LVV do të dalë partia e parë me numër të deputetëve nëse subjektet garojnë individualisht”, ka thënë ai.

Jashari ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, sipas tij, do të bëjë koalicion me “Listën” e Vjosa Osmanit. “Ndërsa duke pas parasysh se për të formuar qeverinë duhen së paku 61 vota, unë pres që partitë e vogla të provojnë të hyjnë në koalicione parazgjedhore për të mbetur në skenën politike. Kur flasim për koalicione parazgjedhore pres që Lista “Vjosa” të bëhet bashkë me LVV, Nisma të bëhet bashkë me PDK-në, derisa AAK dhe LDK-ja do të shkojnë të vetme.

Koalicionet parazgjedhore mundësojnë që të mos shpërndahet vota dhe premton një stabilitet të punën e kuvendit të ri. Sfidë mbetët zgjedhja e presidentit të vendit pasi do të jetë puna e parë e koalicionit të ri qeverisës pas zgjedhjeve të reja”, ka thënë Jashari për GazetaBlic.Përkundër që VV parashikohet t’i fitojë edhe këto zgjedhje, Jashari ka deklaruar se nuk mund të arrihet, sipas tij, pretendimet se partia e Kurtit t’i fitojë 50 për qind të votave.

“Sa i përket pretendimeve të LVV-së se do të marrin 50%të votave unë nuk e besoj se do të ndodhë dhe maksimumi i deputetëve që LVV do ti marr do të sillet prej 40 deri 45 deputet.

Rezultati për subjekte politike do të varet shumë nga cilësia e kandidatëve që do të garojnë në listat e partive politike”, ka thënë ai.Ndryshe, të hënën në mbrëmje, Gjykata Kushtetuese shpalli aktgjykimin për rrëzimin e Qeverisë Hoti dhe shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme, duke konstatuar se përbërja e kabinetit qeveritar s’i kishte marrë votat e nevojshme, pasi që ky organ e cilësoi si të pavlefshme votën e ish-deputetit të d ë n u a r me b u r g i m, Etem Arifi.

@tn.lajmelokale
@tetovanews