Ballina Kronika Vrasja e ish-partnerit, Adelina Ismaili dhe motrat e saj mungojnë sërish në...

Vrasja e ish-partnerit, Adelina Ismaili dhe motrat e saj mungojnë sërish në seancë

Në seancën që është zhvilluar ndaj Enver Sekiraqës, i akuzuar për nxitje të vrasjes së Triumf Rizës, ka munguar dëshmitarja, këngëtarja Adelina Ismaili së bashku me motrat e saj, Zanfina dhe Ema Ismaili.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuçi ka njoftuar se dëshmitaret Adelina, Zanfina dhe Ema Ismaili mungesën e tyre e kanë arsyetuar me një parashtresë, përmes mbrojtësit të tyre, avokatit Alban Makolli.

Sipas tij, avokati në këtë parashtresë kishte deklaruar se nëse gjykata vlerëson se tri dëshmitaret duhet të prezantojnë në seancë përkundër vullnetit të tyre, atëherë të njëjtat do të respektojnë vullnetin e gjykatës.

Lidhur me mungesën e dëshmitareve, prokurori special Haki Gecaj ka thënë se ato nuk i janë përgjigjur ftesës së gjykatës, prandaj sipas tij ato duhet të thirren prap për shkak se çështja është në rigjykim dhe është një trup i ri gjykues, shkruan “Betimi për Drejtësi”.

Por propozimin e prokurorit Gecaj e ka kundërshtuar mbrojtësja e të akuzuarit Sekiraqa, avokatja Kosovare Kelmendi, e cila ka thënë se sipas parashtresës së avokatit Alban Makolli dëshmitaret nuk i kanë pranuar ftesat e gjykatës.

Ajo ka propozuar që deklaratat e tyre të lexohen, pasi sipas avokates Kelmendi secila prej tyre i ka nga pesë deklarata për periudhën 10 vjeçare dhe sipas saj, të njëjtat nuk kanë çfarë të shtojnë.

“Arsye tjetër është se dëshmitaret në fjalë kanë qenë më tepër të ftuara rreth një pike të aktakuzës e cila nuk është me pikë shqyrtimit. Adelina Ismaili ka pasur edhe cilësinë e të dëmtuarës në atë kohë. Arsyetimi i propozimit të prokurorit se jemi para një trupi të ri gjykues dhe se çështja është në rigjykim, unë përsëri ua rikujtoj se ky është gjykimi i tretë dhe në gjykimin e kaluar. Propozoj që këto deklarata të lexohen”, ka thënë avokatja Kelmendi.

Ndërkohë, seancat e radhës pritet të mbahen më 19 dhe 25 janar 2022, në ora 09:30./abcnews.al

Artikulli paraprakRekord të infektuarish në Gjermani, qeveria parashikon masa të reja
Artikulli tjetërKush është Kritale Ivezaj-Rama, “Zonja e Parë” e Prishtinës