Ballina Aktualitet Dy vite nga zjarri në spitalin e Tetovës ku vdiqën 14 persona,...

Dy vite nga zjarri në spitalin e Tetovës ku vdiqën 14 persona, qytetarët protestojnë për drejtësi (VIDEO)

“U munduan të na heshtin duke i vlerësuar jetët e tyre me disa mijëra euro”, familjarët e viktimave në spitalin modular kërkojnë procedurë të re gjyqësore dhe shkarkimin e disa prokurorëve

Sot, 8 shtator bëhen dy vjet nga tragjedia e zjarrit të tmerrshëm që bëri hi spitalin modular të Tetovës ku humbën jetën 14 persona, pacientë dhe familjarë. Për këtë shkak, në Tetovë do të mbahet marsh protestues, në të cilin familjarët e viktimave të kërkojnë drejtësi për jetët e humbura. Drejtësi për këtë rast ende nuk ka, fajtorët e vërtetë mbeten në liri, shkruan Portalb.mk. Protesta filloi në ora 14:00 nga lokacioni ku ishte spitali modular, vazhdoi në qendër dhe u ndal te Gjykata e Tetovës.

-Sot i gjithë shteti feston , kurse ne jemi mbledhur t’i përkujtojmë familjarët tonë që para 2 viteve u dogjën këtu në spitalin modular, këtë e tha njëri nga familjarët e viktimave të tragjedisë së para dy vjetëve në spitalin modular të Tetovë, ku jetën humbën 14 persona, përcjell TV21. Familjarët kërkojnë që sërish të hapet procedurë gjyqësore për shkaqet e zjarrit dhe shkarkimin e disa prokurorëve në krye me prokurorin republikan Lubomir Joveski.

“Ata sot nuk janë në mesin tonë, vetëm se nuk u respektua asnjë standard i ndërtimit. U munduan të na frikësojnë dhe të heshtin duke i vlerësuar jetët e tyre me disa mijëra euro dhe tentuan t’i fshehin fajtorët e vërtet të kësaj tragjedie, tymi i zi atë natë që mbuloi qytetin, sot po mbulon drejtësinë e këtij qyteti. Kërkojmë shkarkim të Prokurorit republikan Joveski bashkë me kryeprokurorin e Tetovës Besir Aliu, prokurorët Zorica Pavlloviç, Dejan Petrevski, Hanefi Ahmeti dhe të tjerët të involvuar në këtë krim”, tha njëri nga familjarët.

@tn.lajmelokale
@tetovanews