Ballina Kronika Arrestohet 40-vjeçari nga Gostivari me rreth një kilogram marihuanë në afërsi të...

Arrestohet 40-vjeçari nga Gostivari me rreth një kilogram marihuanë në afërsi të Qafë Thanës

Një 40-vjeçar nga Gostivari është arrestuar mbrëmjen e së mërkurës në afërsi të pikës kufitare Qafë Thanë, pasi policia e ka kapur me rreth një kilogram marihuanë.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 21 tetor 2026, rreth orës 20:50, në afërsi të pikës kufitare Qafë Thanë, në territorin e Strugës, zyrtarë policorë të ekipit mobil “Task Force” pranë Qendrës Rajonale për Çështje Kufitare “Perëndim” – Ohër, në bashkëpunim me Stacionin Policor për Mbikëqyrje Kufitare Frangovë, kanë privuar nga liria B.B. (40) nga Gostivari.

Gjatë ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve për parandalimin dhe luftimin e tregtisë së paligjshme me drogë, 40-vjeçari është kapur me një thes të zi, brenda të cilit kishte rreth një kilogram marihuanë.

Për rastin është njoftuar prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike e Strugës.

MPB njofton se, pas dokumentimit të plotë të rastit, Qendra Rajonale për Çështje Kufitare “Perëndim” – Ohër do të parashtrojë kallëzim penal përkatës kundër të dyshuarit.