Ballina Bota HARTA/ A po fiton vërtet Putin luftën në vijën e frontit?

HARTA/ A po fiton vërtet Putin luftën në vijën e frontit?

Bombardimi sa më shumë i territorit ukrainas për t’i treguar Trump se ushtria e Zelensky është e rraskapitur duke imponuar një mundësi të paqartë paqeje me kushtet më të mira të Moskës. Ky duket se është çelësi i ofensivës tokësore që Putin ka ndërmarrë ditët e fundit, të përqendruar kryesisht në Donbas.

Një seri operacionesh intensive ushtarake kanë synuar të ndikojnë takimin Trump-Putin në Alaska. Qytetet dhe fshatrat e kontestuara për muaj të tërë, të tilla si Pokrovsk, Kostiantynivka, Siversk, Dobropillia, Rubizhne dhe shumë qytete të tjera të vogla, janë pothuajse të rrethuara, po bombardohen rëndë ndërsa brenda janë infiltruar patrulla të vogla të trupave elitare ruse të mbështetura nga dronë dhe avionë.

Rusët po zbatojnë një strategji të vendosjes së njësive të shkathëta dhe të trajnuara mirë, shumë të ngjashme me ato të aplikuara nga ukrainasit në fillim të luftës kundër kolonave të rënda armike që synonin Kievin, Kharkivin dhe Zaporizhian.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës ngriti vazhdimisht alarmin ditët e fundit për pushtimin nga armiku të mbi 120 kilometrave katrorë territor në veri të Pokrovskut dhe infiltrimin e komandove ruse në këmbë në Dobropillia, gjë që rrezikoi izolimin e Kramatorskut (qyteti më i rëndësishëm në Donbass që është ende në duart e ukrainasve). Një ditë më parë Kievi shpërndau mesazhe qetësuese, duke pretenduar se sulmi ishte ndalur. “Disa dhjetëra ushtarë rusë të fshehur midis shtëpive dhe në pyje nuk do të thotë aspak se ata kanë kontrollin”, specifikuan zyrtarë të lartë në kryeqytetin ukrainas.

Gati 3 vjet e gjysmë pas fillimit të agresionit ushtarak të Putinit, i projektuar për të rrëzuar qeverinë Zelensky dhe për të aneksuar të gjithë Ukrainën brenda pak javësh, ushtria ruse, e cila kërkon të projektojë veten në imagjinatën e bashkësisë ndërkombëtare si një superfuqi në të njëjtin nivel me SHBA-në dhe Kinën, mbetet e zhytur në një luftë rraskapitëse që ka shkatërruar qindra mijëra ushtarë të saj.

Tetova News në YouTube:

Rusët kanë thënë për të paktën 12 muaj se janë gati të “çlirojnë” Pokrovskun. Në prill të vitit 2022, përpara stacionit të trenit të Kramatorskut, raketat e Ushtrisë Ruse masakruan afërsisht 60 gra dhe fëmijë që prisnin evakuimin. Në atë kohë, dukej sikur tanket e Putinit ishin vetëm çështje orësh larg. Luftimet ende vazhdojnë në periferi të Khasiv Yar, rreth 30 kilometra në lindje dhe Bakhmuti, zemra e një prej betejave më të përgjakshme të të gjithë luftës, e humbur nga ukrainasit në maj të vitit 2023, është vetëm 20 minuta larg me makinë. Megjithatë, nëse rusët do të thyenin vijën mbrojtëse ukrainase në Donbas, tashmë të përforcuar nga disa batalione vullnetare nga Batalioni Azov, ata do të kishin lehtësisht një rrugë të lirë për në Dnipro dhe qendrën e vendit.

Lajmet nga terreni janë ende shumë të zymta. Sipas Vadym Filashkin të administratës ushtarake të Donetskut, vetëm 1327 kanë mbetur nga 60 000 banorët e Pokrovskut. Nuk ka energji elektrike ose ujë dhe artileria ruse po qëllon në të gjitha rrugët e arratisjes. Duket se nga 150 komando ruse që kanë depërtuar në zonën urbane, 30 janë ende në operacion. Evakuimi i mbi 8,000 banorëve të Kostiantynivka është gjithashtu tani i pamundur.

Dronët rusë dominojnë qiellin. Mesazhe të forta nga ushtarët ukrainas po shfaqen në mediat sociale, duke akuzuar komandantët e tyre se janë “shumë të ngurtë” dhe në “kaos” nëpër llogore. ©LAPSI.al