Gjendja me ekipet e ndihmës së shpejtë është problematike në të gjithë vendin. Në Tetovë, në vend të 16 ekipeve, ka vetëm katër. Udhëheqësit e njësisë ankohen se mezi arrijnë të mbulojnë të gjitha nevojat e qytetarëve. Shpresojnë për punësime të reja pas zgjedhjeve.
“Me vetëm katër ekipe, ndihma e shpejtë këtu në qytetin e Tetovës, mbulon gjashtë komuna. Të nevojshme për funksionim normal të kësaj pike, janë 16 ekipe jo katër sikurse deri më tani dhe, mëse e nevojshme është ndërrimi i menjëhershëm i makinave që shihni pas meje, sepse, meqë janë të vjetërsuara, më tepër janë në servis se sa në shërbim të qytetarëve”, raporton Bashkim Sulejmani, gazetar.
Udhëheqësi i Ndihmës së Shpejtë në Tetovë, Igro Mlladenovski, thotë se mezi po ia dalin. Në ditë thirrje ka deri në 40, ndërsa dy ekipe në një ndërrim e kanë vështirë për t’i arritur të gjitha thirrjet.
“Afërsisht verës në 24 orë, kishte deri në dyzet thirrje në ditë, flas vetëm për thirrje jo kontrolle. Ndërsa në një ndërrim kemi vetëm dy ekipe, dhe kjo është shumë pak, duke marrë parasysh sipërfaqen e madhe që mbulojmë si njësi e ndihmës së shpejtë, për Tetovën dhe rrethin, pra mbulojmë Tetovë, Bogovinë, Tearcë, Zhelinë, Jegunoc dhe komuna e Bërvenicës, pra gjashtë komuna mbulojmë. Problemi më i madh është se momentalisht me këtë popullatë, duhet të ketë nga 16 deri në 20 ekipe, apo nga katër në një ndërrim, pra të paktën 16 të kemi, ndërsa ne momentalisht kemi tetë. Edhe makinat duhet të ndërrohen dhe presim që shteti do na dhuroj makina të reja, sepse punohet në mjedise rurale dhe këto makina janë amortizuar tashmë”, deklaroi Igor Mlladenovski, Udhëheqës i Ndihmës së Shpejtë Tetovë.
Drejtori i Shtëpisë së shëndetit thotë se pas zgjedhjeve, pritet të ketë punësime të reja.
“Situata është shumë e vështirë dhe me vetëm dy ekipe nuk i dilet në fund. Kilometrat janë shumë që mbulojmë 50 kilometra ndonjëherë kemi vetëm në një ndërrim, dy orë në një intervenim zihet një makinë e ne kemi vetëm dy.
Shpresojmë të rritet numri i ekipeve që ta mbulojmë gjithë terrenin. Kemi kërkuar punësime të reja, makina të reja dhe për vitin e ardhshëm shpresoj të kemi punësime plotësuese që ti arrijmë katër ekipe në një ndërrim që janë minimumi për këtë territor”, tha Jani Konstadinvski, Drejtor i Shtëpisë së Shëndetit Tetovë.
Nga Ministria e Shëndetësisë, është kërkuar leje për punësimin e të paktën tetë mjekëve, tetë motrave dhe tetë vozitësve të urgjencës. /Alsat.mk














