Ballina Kronika EMRI/ Ky është 18-vjeçari shqiptar që humbi jetën në aksident në Itali,...

EMRI/ Ky është 18-vjeçari shqiptar që humbi jetën në aksident në Itali, arrestohet shoku që drejtonte “Audin” e vjedhur

Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur diten e djeshme në Bologna të Italisë, ku ka humbur jetën 18-vjeçari shqiptar Valjero Maksuti. Ai ndodhej si pasagjer në një makinë tip “Audi”, që drejtohej nga një shok i tij 19-vjeçar, gjithashtu shqiptar, i cili u plagos dhe më pas u arrestua nga policia italiane.

Të dy të rinjtë, sipas mediave italiane, kishin mbërritur në Itali vite më parë si të mitur të huaj të pashoqëruar, duke u strehuar në komunitetet për të mitur në Bologna. Valjero, sapo kishte mbushur 18 vjeç dhe ishte larguar nga qendra e akomodimit, ndërsa 19-vjeçari ndodhej ende në një strukturë për të rinjtë pa mbështetje familjare.

Ngjarja ndodhi gjatë një ndjekjeje policore, pasi makina me të cilën udhëtonin, e vjedhur disa ditë më parë, nuk iu bind urdhrit për të ndaluar. Automjeti doli nga rruga dhe u përplas me një shtyllë elektrike, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme Maksutit. Në makinë u gjetën mjete të dyshimta si grusht hekuri, çekiç dhe pajisje për hapje me forcë.

Sipas autoriteteve italiane, Valjero Maksuti kishte një precedent penal për vjedhjen e një monopatini dhe rezistencë ndaj policisë, ndërsa drejtuesi i mjetit deri atëherë nuk rezultonte me rekorde penale. Tani, ai është nën arrest për vrasje rrugore, rezistencë ndaj një punonjësi publik dhe përvetësim të mjetit të vjedhur.