Ballina Bota Avioni i Netanyahut u largua nga Izraeli në drejtim të panjohur

Avioni i Netanyahut u largua nga Izraeli në drejtim të panjohur

Në vijim të rritjes së tensioneve mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara dhe deklaratave të ashpra të Donald Trump kundër Teheranit, avioni zyrtar i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, u largua nga Izraeli të mërkurën për një fluturim me destinacion të panjohur.

Burime mediatike vendase e kanë vlerësuar këtë veprim, duke pasur parasysh rrezikun e mundshëm për avionin në rast të përshkallëzimit të përplasjeve, si një masë paraprake sigurie.

Megjithatë, Zyra e Kryeministrit të Izraelit njoftoi se bëhej fjalë për “një fluturim stërvitor të planifikuar dhe rutinë”, pa ndonjë dimension të veçantë sigurie.

Faqja e ndjekjes së fluturimeve “Flightradar” kishte raportuar më herët për ngritjen e avionit të kryeministrit drejt një destinacioni të panjohur. Sipas raportimeve, avioni zyrtar i Netanyahut, i njohur si “Krahu i Sionit”, u nis nga baza ajrore Nevatim.

Ekspertët i kanë vlerësuar këto veprime si pjesë e testimit të reagimeve të mundshme të Iranit dhe përgatitjeve për çdo skenar të përshkallëzimit të mëtejshëm. Edhe televizioni izraelit Channel 12 theksoi se ky fluturim ishte pjesë e një manovre sigurie dhe analizës së skenarëve të mundshëm.

Më herët, në ditën e parë të luftës 12-ditore mes Teheranit dhe Tel Avivit, avioni i kryeministrit izraelit ishte larguar gjithashtu nga Izraeli dhe, sipas gazetës “Jerusalem Post”, ishte zhvendosur drejt Greqisë.

Gazeta “Times of Israel” shkroi se avioni i kryeministrit izraelit kishte fluturuar nga baza Nevatim edhe një ditë përpara nisjes së sulmeve raketore iraniane në qershorin e kaluar – bazë kjo që më vonë u bë objektiv i sulmit nga Irani./euronews/tetovanews

Zyrtarë evropianë: Ndërhyrja ushtarake e SHBA-së në Iran mund të nisë brenda 24 orëve

Ndërhyrja ushtarake e Shteteve të Bashkuara në Iran mund të ndodhë brenda 24 orëve të ardhshme, kanë deklaruar të mërkurën në mbrëmje dy zyrtarë evropianë, sipas agjencisë Reuters.

Një zyrtar izraelit, duke folur në kushte anonimiteti, ka thënë gjithashtu se duket se presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur të ndërhyjë, megjithëse përmasat dhe koha e saktë e ndërhyrjes mbeten ende të paqarta.

Sipas Reuters, SHBA po tërheq një pjesë të personelit nga baza kyçe ushtarake në rajon, si masë paraprake për shkak të rritjes së tensioneve rajonale. Lajmi u raportua më herët të mërkurën, duke cituar një zyrtar amerikan pa emër.

Ky zhvillim vjen pas deklaratave të një zyrtari të lartë iranian, i cili i tha Reuters se Teherani ka paralajmëruar fqinjët që strehojnë trupa amerikane se do të godasë bazat ushtarake të SHBA-së nëse Uashingtoni ndërmerr sulme.

Edhe Britania e Madhe po tërheq një pjesë të personelit nga një bazë ajrore në Katar, përpara goditjeve të mundshme amerikane, raportoi të mërkurën gazeta britanike i, duke ndjekur të njëjtën linjë me SHBA-në.

Tërheqje nga bazat në Lindjen e Mesme

Sipas Reuters, personeli është udhëzuar të largohet konkretisht nga baza ajrore amerikane Al Udeid në Katar deri të mërkurën në mbrëmje, mes paralajmërimeve nga Uashingtoni se mund të ndërhyjë për të mbrojtur protestuesit në Iran.

Ambasada amerikane në Doha nuk ka dhënë menjëherë koment, ndërsa Ministria e Jashtme e Katarit nuk iu përgjigj kërkesës së Reuters për konfirmim apo reagim.

Baza Al Udeid është baza më e madhe amerikane në Lindjen e Mesme dhe strehon rreth 10 mijë trupa.

“Bëhet fjalë për një ndryshim pozicioni dhe jo për një evakuim të urdhëruar,” i tha një diplomat Reuters. Ai shtoi se nuk ishte në dijeni që ishte dhënë një arsye specifike për këtë ndryshim.

Më herët të mërkurën, një zyrtar i lartë iranian deklaroi për Reuters se Irani ka paralajmëruar vendet e rajonit se do të sulmojë bazat ushtarake amerikane në ato vende në rast të një sulmi nga SHBA-ja.

“Teherani u ka thënë vendeve rajonale, nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe deri te Turqia, se bazat amerikane në këto vende do të goditen nëse SHBA sulmon Iranin… duke u kërkuar këtyre vendeve të parandalojnë Uashingtonin nga sulmi ndaj Iranit,” tha zyrtari iranian.

Paralajmërimet e presidentit Trump ndaj Republikës Islamike kanë përfshirë kërcënime për përdorim force ushtarake. Trump ka paralajmëruar gjithashtu Iranin që të mos hakmerret ndaj SHBA-së, duke thënë se nëse kjo ndodh, përgjigjja amerikane do të jetë në nivele “të papara më parë”.

Ndërpriten kontaktet Uashington–Teheran

Zyrtari iranian konfirmoi gjithashtu për Reuters se komunikimet e drejtpërdrejta mes ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, dhe të dërguarit special amerikan, Steve Witkoff, janë pezulluar.

Ai shtoi se kërcënimet amerikane po dëmtojnë përpjekjet diplomatike dhe se takimet e mundshme mes dy zyrtarëve për të gjetur një zgjidhje diplomatike për mosmarrëveshjen bërthamore shumëdekadëshe janë anuluar.

Këto deklarata konfirmojnë një njoftim të bërë nga Trump të martën, kur presidenti shkroi në platformën e tij Truth Social se kishte anuluar të gjitha takimet me zyrtarët iranianë.

Komentet e zyrtarit iranian vijnë gjithashtu pas një raporti të Axios të hënën, sipas të cilit Araghchi kishte kontaktuar Witkoff gjatë fundjavës dhe të dy kishin diskutuar për protestat në vazhdim në Iran.