Ballina Bota Kiev: Rusia po i sulmon sistematikisht kompanitë amerikane në Ukrainë

Kiev: Rusia po i sulmon sistematikisht kompanitë amerikane në Ukrainë

Ministri i Punëve të Jashtme i Ukrainës, Andrij Sibiga, deklaroi sot se Rusia po i shënjestron në mënyrë sistematike kompanitë amerikane që veprojnë në Ukrainë, pasi në një sulm rus u godit një objekt i prodhuesit amerikan të produkteve bujqësore “Bunge” në qytetin Dnipro, në pjesën juglindore të vendit.

“Ky sulm nuk ishte një gabim – ishte i qëllimshëm, pasi rusët u përpoqën disa herë ta godisnin këtë ndërmarrje”, shkroi Sibiga në rrjetin social X.

Ai vlerësoi se Rusia po e sulmon sistematikisht biznesin amerikan në Ukrainë dhe shtoi se veprime të tilla tregojnë “mosrespektimin e plotë të presidentit rus Vladimir Putin ndaj përpjekjeve për paqe për Ukrainën, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara”.

Më herët sot, kryetari i bashkisë së Dnipros, Boris Filatov, njoftoi se në një sulm rus me dronë ishte goditur një objekt i kompanisë “Bunge”.