Ballina Kronika Itali/ Humbin jetën 4 anëtarët të një familje shqiptare nga rrjedhja e...

Itali/ Humbin jetën 4 anëtarët të një familje shqiptare nga rrjedhja e gazit

Një tragjedi e rëndë ka ndodhur në Itali, ku katër anëtarë të së njëjtës familje shqiptare kanë humbur jetën si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit në banesën e tyre në zonën e Luccës.

Sipas mediave italiane, viktimat janë një çift bashkëshortësh dhe dy fëmijët e tyre, përkatësisht 48, 43, 22 dhe 15 vjeç, të gjithë me origjinë shqiptare.

Dyshohet se shkaku i ngjarjes ka qenë një defekt në kaldajën e shtëpisë, që ka çliruar gazin vdekjeprurës brenda banesës.

Një i afërm i familjes, vëllai i kryefamiljarit, ka shkuar në banesë pasi nuk merrte përgjigje në telefon. Ai ka njoftuar autoritetet, të cilat pasi kanë hyrë në shtëpi kanë gjetur katër trupat pa jetë.

Personi i pestë është shpëtuar, por ndodhet në gjendje kritike në spital, pasi edhe ai u intoksikua nga monoksidi i karbonit.

Gjatë ndërhyrjes janë helmuar lehtë edhe dy efektivë të policisë që hynë në banesë për të dhënë ndihmën e parë, por ata janë jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në orët e darkës, pasi në banesë u gjet tavolina e shtruar, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi shkakun e tragjedisë.

Në vendngjarje mbërriti edhe kryetari i bashkisë së zonës, i cili shprehu tronditjen për humbjen e katër jetëve, duke e cilësuar ngjarjen si një dramë për gjithë komunitetin.

Personat në foto janë Arti Kola, 48 vjeç, (kryefamiljar) bashkëshortja e tij Jonida Kola, 42 vjeçe, dhe dy fëmijët e tyre, Hajdar Kola, 23 vjeç, dhe Xhesika Kola, 15 vjeçe. Katër anëtarët e familjes shqiptare humbën jetën mbrëmjen e kaluar në qytetin e Lucca-s, në Itali, si pasojë e asfiksimit nga gazi brenda banesës së tyre, në një ngjarje që ka tronditur komunitetin shqiptar dhe opinionin publik.

Sipas mediave italiane, familja sapo kishte shtruar darkën kur dyshohet se një sasi gazi ka rrjedhur nga kaldaja e ngrohjes, duke shkaktuar helmimin fatal. Alarmin e ka dhënë vëllai i Arti Kolës, i cili pasi nuk mori përgjigje pas disa trokitjesh në derë, njoftoi karabinierët. Ata hynë me forcë në banesën trekatëshe dhe u përballën me skenën dramatike, ku katër trupat e pajetë ndodheshin përtokë. Si pasojë e ekspozimit ndaj gazit, edhe xhaxhai i fëmijëve humbi ndjenjat dhe u transportua me urgjencë në spital.

Mësohet se Arti Kola punonte në një fabrikë, bashkëshortja e tij ishte shtëpiake, ndërsa djali i madh ishte elektricist dhe vajza studente. Banesa ishte blerë rreth tre vite më parë dhe ishte restauruar pjesërisht nga vetë kryefamiljari. Prokuroria italiane ka urdhëruar sekuestrimin e shtëpisë, ndërsa autoritetet, në bashkëpunim me zjarrfikësit, po hetojnë nëse kaldaja ishte e regjistruar, e instaluar sipas rregullave dhe e kontrolluar në mënyrë periodike.