Një lajm i trishtë ka tronditur mëngjesin e sotëm banorët e Reçicës së Madhe dhe mbarë opinionin në Tetovë. Në moshën 25-vjeçare, pas një beteje me një problem të papritur shëndetësor, ka ndërruar jetë i riu Salajdin Bajrami.
Lajmi është bërë i ditur nga familjarë dhe miq të të ndjerit, të cilët përmes rrjeteve sociale kanë shprehur dhimbjen e tyre të thellë për humbjen e parakohshme të djaloshit që njihej për urtësinë dhe mirësinë e tij.
Salajdini, i cili kishte të gjithë jetën përpara, nuk arriti t’i mbijetonte komplikimeve shëndetësore, duke lënë pas një boshllëk të madh te prindërit, familja dhe rrethi i gjerë shoqëror.
Reçica e Madhe sot është në zi për humbjen e një prej bijve të saj më të mirë.
Familjarët kanë njoftuar se ceremonia e varrimit do të bëhet sot pas namazit të iqindisë, ku miq dhe të afërm do t’i japin lamtumirën e fundit në varrezat e fshatit.
Redaksia jonë i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Bajrami për këtë humbje të madhe. Shpirti i tij u prehtë në paqe!
Me shumë dhimbje dhe pikëllim në zemër po ndajmë lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të kushëririt tonë, Salajdin Bajramit, i cili u shua në lulen e rinisë, duke lënë pas dhimbje të thellë dhe plagë që fjala vështirë se i shëron.
Ikja jote ishte e papritur, e padrejtë dhe shumë e rëndë për familjen, të afërmit dhe për të gjithë ata që patën fatin të të njohin. U largove herët, por kujtimi yt do të jetojë përgjithmonë në zemrat tona me buzëqeshjen, mirësinë dhe shpirtin tënd të pastër.
Zoti të mëshiroftë dhe të dhuroftë Xhenetin, ndërsa familjes u dhashtë forcë, durim dhe zemërgjerësi për ta përballuar këtë humbje të madhe.
Varrimi bëhet sot pas namazit të ikindisë në varrezat e Reçicës së Madhe .

Me zemër të thyer dhe dhimbje të madhe mora lajmin e ndarjes nga jeta të ish nxënësit tim shumë të dashur, Salajdin Bajrami.
Si kujdestar i klasës, më është e vështirë të gjej fjalë që mund ta përshkruajnë trishtimin që ndjejë sonte.
Salajdini nuk ishte vetëm një nxënës, ai ishte një shpirt i mirë, një djalë i qetë dhe i dashur, një buzëqeshje që sillte ngrohtësi në klasë.
Largimi i tij i parakohshëm na ka tronditur thellë.
Kujtimi i Salajdinit do të mbetet përgjithmonë i gjallë mes nesh, në çdo aspekt të jetës.
Në këto çaste të rënda, shprehim ngushëllimet më të sinqerta dhe më të thella për familjen e Salajdinit.
Zoti ju dhëntë forcë, durim dhe ngushëllim për ta përballuar këtë dhimbje të madhe.
Allahu i lartëmadhëruar të faltë Xhenetin Salajdin.
Kujtimi i tij do të jetojë përjetë mes nesh.

Me zemër të thyer dhe dhimbje të madhe njoftojmë familjarët, miqtë dhe të gjithë ata që e njohtën,ka ndërruar jetë në mosh të re.
Salajdin Bajrami nga Reçica e Madhe.
U nda nga kjo botë duke lënë pas dhimbje, mall dhe kujtime që nuk do të harrohen kurrë. Humbja e tij është e rëndë për familjen, të afërmit dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin.
Varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër, pas namazit të iqindisë.
Lusim Allahun e Madhëruar ta mëshirojë, t’ia falë mëkatet dhe ta bëjë banor të Xhenetit, ndërsa familjes Bajrami t’i dhurojë durim, forcë dhe zemër të qetë për ta përballuar këtë dhimbje të madhe.
Inna lil-lahi ue inna ilejhi raxhiun.















