Gazetari Romir Saraçi ka reaguar në lidhje me justifikimin e Edi Ramës për prishjet e rrugëve në Shqipëri, se këto gjëra ndodhin edhe në Portugali sipas kryeministrit, i cili kishte postuar në rrjetet e tij sociale, një rrugë të një fshati.
Në postimin e tij në Facebook, Saraçi thekson se ‘rruga në pamjet e publikuara në rrjetin social “X” nga Edi Rama i përket zonës së Torres Vedras në Portugali dhe nuk konsiderohet as rrugë fshati, por rrugë që i shërben afro 900 banorëve të Sirolit për t’u lidhur me arat e tyre!’
Gjithashtu gazetari është ndalur edhe te standardi i ndërtimit të rrugëve në Portugali, që sipas tij nuk ka asnjë rrugë që të ketë kushtuar 300 milionë euro, dhe për më tepër që t’i jetë dëmtuar qoftë edhe një tabelë sinjalistike, pasi në të kundërt ministri i Transporteve do të ishte në qeli, e jo të mbrohej me ligj të posaçëm nga Kryeministri!
Mirë hajdut, por edhe mashtrues!
Mashtruesi kronik po nxjerr gjithnjë e më në pah sjelljet e një lideri suprem! Si Enver Hoxha, po tregon se Perëndimi është më keq, e po vuajn për bukë.
Për të justifikuar shembjet në akset rrugore kombëtare të Shqipërisë, ka sjellë si shembull Portugalinë, që sipas tij edhe aty rrugët shemben. MASHTRIM!
Rruga në pamjet e publikuara në rrjetin social “X” nga Edi Rama (në “X”, sepse në Facebook nuk guxon prej kohësh për shkak të masakrimit nga qytetarët) i përket zonës së Torres Vedras në Portugali. Dhe nuk konsiderohet as rrugë fshati, por rrugë që i shërben afro 900 banorëve të Sirolit për t’u lidhur me arat e tyre! U shemb pas stuhive dhe reshjeve që nuk ishin parë në 100 vitet e fundit. Pra, e thënë më thjesht, sikur në Librazhd të ishte shembur rruga që lidh Dragostunjën me stanet e bagëtive! E aq më keq, rruga në Librazhd u shemb sepse po “vidhet” pa projekt, e jo për shkak të ndonjë fenomeni natyror të jashtëzakonshëm. Qafë Pllocë, se u vodh barbarisht, etj., etj… Pra, në Portugali nuk ka asnjë rrugë që të ketë kushtuar 300 milionë euro, që t’i jetë dëmtuar qoftë edhe një tabelë sinjalistike, se në të kundërt ministri i Transporteve do të ishte në qeli, e jo të mbrohej me ligj të posaçëm nga Kryeministri!
Në një fjali të gjatë të mbushur me ironi dhe shigjetime për opozitën dhe mediat, Rama thotë se opozita portugeze “fle gjumë” dhe se “tenxheret mediatike” dhe opozita shqiptare duhet ta padisë në SPAK edhe atë që ka ndodhur në vendin iberik.
“Çudi e madhe, në Portugali ka ndodhur kjo nga të njëjtat fenomene, po s’po e marr vesh se mirë opozita portugeze është në gjumë, mirë edhe ato pak tenxhere mediatike të Portugalisë janë me temperaturë të ulët e s’ka vend për gjithë këtë rrugë të re, po si ka mundësi që opozitat e këtushme nuk e kanë denoncuar akoma në SPAK këtë vepër të korrupsionit dhe si është e mundur që 700 tenxheret e flakta të mexhelisit tonë mediatik, nuk kanë thirrur gjithollogët e tyre që të jashtënxjerrin faktet e tmerrshme që fshihen nën asfaltin e këtij korrupsioni qeveritar, ku padyshim është dora e narkoshtetit shqiptar!” – shkruan Rama.
Por çfarë ka ndodhur realisht në Portugali?
Rruga e shembur gjendet në Torres Vedras, një nga më të goditurit nga vala e stuhive gjatë javëve të fundit. Ndryshe nga ura e Librazhdit që u shemb ditën për diell, rajonet portugeze u gjendjen nën valën e stuhive të njëpasnjëshme të quajtura “Kristin”, “Leonardo” dhe “Marta” që nisën nga 28 janari dhe vijuan deri në fillim të kësaj jave.
18 persona kanë humbur jetën në Portugali për shkak të këtyre stuhive, të cilat shkaktuan gjithashtu qindra të lënduar dhe persona të zhvendosur.
Pak ditë më parë kryetari i bashkisë së Torres Vedras, Sérgio Galvão, tha se llogariste dëme prej rreth 30 milionë eurosh në rrjetin rrugor, shpatet dhe muret mbajtëse, ndërtesat dhe pajisjet komunale, infrastrukturën sanitare, shkollat, shoqatat dhe trashëgiminë kulturore.
Vetëm kjo bashki ka raportuar 1387 incidente të lidhura me motin e keq, duke filluar nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut.
“Një nga problemet kryesore ishin 75 rrugë të dëmtuara, shumë prej të cilave në shembje të plotë ose të pjesshme. Kemi 40 kilometra rrugë që kërkojnë ndërhyrje”, – deklaroi kryebashkiaku. Rajonet qendrore, Lugina e Lisbonës dhe Tagusit, si dhe Alentejo ishin më të prekurat. ©LAPSI.al















