Ballina Bota Lufta e SHBA ndaj Irani trondit llogaritë e Kinës: Si do t’ia...

Lufta e SHBA ndaj Irani trondit llogaritë e Kinës: Si do t’ia bëjë Pekini?

Lufta në Lindjen e Mesme nuk e ka goditur drejtpërdrejt Kinën, të paktën për momentin. Por pasojat e saj tashmë po ndihen në Pekin.

Në afat të shkurtër, Kina ka rezerva të mjaftueshme nafte për disa muaj dhe, nëse situata përkeqësohet, mund të mbështetet edhe te Rusia. Megjithatë, Pekini po përpiqet të kuptojë se çfarë mund të nënkuptojë ky konflikt në planin afatgjatë, jo vetëm për investimet e tij në Lindjen e Mesme, por edhe për ambiciet globale.

Këtë javë në Pekin janë mbledhur mijëra delegatë të Partisë Komuniste për të diskutuar strategjinë ekonomike të vendit, në një moment kur ekonomia kineze po përballet me konsum të dobët, krizë të zgjatur në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe borxhe të mëdha të qeverive lokale. Kina ka ulur gjithashtu objektivin e rritjes ekonomike në nivelin më të ulët që nga viti 1991, ndërsa përpiqet të zhvillojë industrinë e teknologjisë së lartë dhe energjisë së rinovueshme.

Pekini shpresonte që eksportet ta ndihmonin të dilte nga vështirësitë ekonomike, por prej një viti është përfshirë në një luftë tregtare me Shtetet e Bashkuara dhe tani përballet edhe me pasiguritë që sjell konflikti në Lindjen e Mesme, një rajon jetik për rrugët e transportit dhe për furnizimin me energji.

Sa më gjatë të zgjasë lufta, aq më shumë rrezikon të dëmtojë interesat kineze, veçanërisht nëse trafiku (i naftës) në Ngushticën e Hormuzit mbetet i bllokuar. Pasojat mund të shtrihen edhe përtej rajonit. Investimet e mëdha të kapitalit nga vendet e Gjirit në Afrikë, për shembull, mund të reduktohen nëse pasiguria vazhdon, duke krijuar destabilitet që prek edhe interesat e Kinës.

Në Pekin po shtrohet një pyetje që dëgjohet edhe në shumë kryeqytete të tjera: cili është plani i Shteteve të Bashkuara për këtë luftë?

Analistët thonë se edhe Kina dyshon nëse Uashingtoni ka hyrë në këtë konflikt me një strategji të qartë. Për këtë arsye Pekini përpiqet të qëndrojë larg përfshirjes direkte në konflikt, duke shmangur çdo rol ushtarak.

Marrëdhënia Kinë–Iran: më shumë pragmatike sesa aleancë

Në Perëndim, Irani shpesh konsiderohet si një aleat i Kinës. Dy vendet kanë zhvilluar marrëdhënie të ngushta, veçanërisht pas vizitës së presidentit Xi Jinping në Teheran në vitin 2016 dhe marrëveshjes strategjike 25-vjeçare të nënshkruar në vitin 2021, sipas së cilës Kina premtoi investime prej 400 miliardë dollarësh në këmbim të furnizimit me naftë.

Megjithatë, analistët besojnë se vetëm një pjesë e vogël e këtyre investimeve është realizuar, ndërsa nafta iraniane ka vazhduar të rrjedhë drejt Kinës. Në vitin 2025, Kina importoi rreth 1.38 milion fuçi naftë iraniane në ditë, që përbën rreth 12% të importeve të saj totale.

Megjithatë marrëdhënia mes dy vendeve është më shumë pragmatike sesa ideologjike. Kina nuk ka aleanca ushtarake të tipit perëndimor dhe nuk ka ndërmend të ndërhyjë për të mbrojtur Iranin në rast konflikti.

Kina përpiqet të pozicionohet si faktor stabiliteti

Pekini reagoi ndaj luftës me një deklaratë të moderuar, duke dënuar sulmet ndaj Iranit dhe duke bërë thirrje për armëpushim. Ministri i Jashtëm Wang Yi e cilësoi të papranueshme që SHBA dhe Izraeli të sulmojnë Iranin dhe të vrasin liderin e një shteti sovran.

Megjithatë, lufta ka nxjerrë në pah edhe kufijtë e ndikimit të Kinës. Ndryshe nga SHBA, Pekini nuk ka kapacitetin ushtarak për të ndërhyrë në mënyrë vendimtare në konflikte të largëta, edhe nëse do të dëshironte.

Për këtë arsye Kina përpiqet të paraqitet si një alternativë më e qëndrueshme dhe më e parashikueshme në skenën globale, në kontrast me politikat e Uashingtonit.

Ndërkohë, Pekini mund të përpiqet të luajë një rol ndërmjetësues në konflikt. Ministri i Jashtëm kinez ka zhvilluar bisedime me homologë nga Oman dhe Franca dhe Kina ka njoftuar se do të dërgojë një të dërguar të posaçëm në Lindjen e Mesme.

Pekini llogarit edhe faktorin Trump

Një tjetër arsye pse Kina po ecën me kujdes është vizita e planifikuar e presidentit amerikan Donald Trump në Pekin më vonë këtë muaj. Pekini ka shmangur kritikat direkte ndaj Trump, ndoshta për të mos tensionuar më tej marrëdhëniet përpara takimit.

Në të njëjtën kohë, Kina po vëzhgon me kujdes mënyrën se si SHBA do të menaxhojë këtë konflikt dhe çfarë mund të nënkuptojë kjo për çështje të tjera të ndjeshme, si Tajvani.

Për disa në Pekin, kriza është edhe një mundësi për të paraqitur SHBA si një fuqi që nxit luftëra. Por një Amerikë e paparashikueshme është gjithashtu një burim shqetësimi për Kinën.

Siç thonë analistët, Pekini nuk dëshiron një botë të dominuar nga SHBA, por as një botë ku Amerika vepron në mënyrë të paqëndrueshme dhe të paparashikueshme.

BBC, përgatiti në shqip ©LAPSI.AL