Ballina Lajme Real Madrid “shtyp” City-n, fitore e “çmendur” e PSG ndaj Chelsea! Bodo/Glimt...

Real Madrid “shtyp” City-n, fitore e “çmendur” e PSG ndaj Chelsea! Bodo/Glimt “Përralla” e këtij Championsi, ëndrra vijon

Mbrëmja e sotme e Champions league ka prodhuar rezultate tenistike, ku sfida që spikati ishte finalja e parakoshme Real Madrid – Manchester City, e cila u transmetua LIVE në ekranin e televizionit kombëtar Vizion Plus.

Real Madrid ka mposhtur me rezultatin 3-0 Manchester City në stadiumin Santiago Bernabeu, duke hedhur një hap të madh drejt kualifikimit për në fazën tjetër të kompeticionit.

Heroi i takimit ishte Federico Valverde, i cili vulosi gjithçka që në pjesën e parë. Mesfushori uruguaian realizoi një tripletë të shpejtë, duke shënuar në minutat 20’, 27’ dhe 43’, dhe duke qenë protagonisti absolut i kësaj sfide.

Në pjesën e dytë, portieri i Cityt Gianluigi Donnarumma mbajti ekipin anglez në lojë, duke mos lejuar që rezultati të thellohej më tej. Italiani priti penalltinë e goditur nga Vinícius Junior.

Pas një jave do të luhet ndeshja e kthimit mes dy skuadrave, por për ekipin e drejtuar nga Pep Guardiola do të duhet një mrekulli për të përmbysur rezultatin dhe për të kaluar në fazën tjetër.

Në sfidën tjetër, Paris Saint-Germain mposhti me rezultatin 5-2 anglezët e Chelsea. Një ndeshje spektakolare që konfirmoi edhe njëherë se francezët mbeten ndër kandidatët kryesorë për trofeun këtë sezon në Champions League.

Ndërkohë, norvegjezët e FK Bodo/Glimt vazhdojnë të shkruajnë historinë në këtë kompeticion. Pas eliminimit të Interit në fazën e mëparshme, ata kanë mposhtur këtë mbrëmje edhe Sporting Lisbona me rezultatin 3-0.

Skuadra norvegjeze mban kështu gjallë ëndrrën për të arritur në çerekfinalet e kompeticionit më të rëndësishëm europian për klube.