Ballina Kronika Të shtëna me armë në Gjakovë, humb jetën një person dhe plagoset...

Të shtëna me armë në Gjakovë, humb jetën një person dhe plagoset një tjetër, në kërkim pronari i lokalit “My Place”

“Sot rreth orës 05:30, jemi njoftuar se në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në Gjakovë dy persona meshkuj, të moshës madhore, janë qëlluar me armë zjarri. Si pasojë e plagëve të marra, njëri prej tyre ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes (ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij). Personi tjetër ka mbetur i plagosur dhe është dërguar për trajtim mjekësor”, thuhet në njoftimin e policisë.

Të shtëna me armë zjarri kanë tronditur mëngjesin e sotëm Gjakovën, ku një person ka mbetur i vdekur dhe një tjetër është plagosur rëndë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:20 në rrugën “Vëllezërit Frashëri”, ndërsa sipas informacioneve të para viktima është Rasim Binakaj (38-vjeçar), i cili ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.

Rasim Binakaj

Nga të shtënat është plagosur edhe E. M (29-vjeçar), i cili ka pësuar plagë në kraharor dhe është dërguar për trajtim mjekësor. Sipas mjekëve, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Policia është vënë në kërkim të Nexhdet Zymberajt, pronarit të lokalit “My Place” në Gjakovë, i cili dyshohet se është i përfshirë në vrasjen e rëndë që ndodhi mëngjesin e sotëm në këtë qytet.

Si i dyshuar për rastin përmendet N. Z, pronari i lokalit “My Place”, i cili dyshohet se është përfshirë në incident dhe pas ngjarjes është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.

Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur pesë gëzhoja të armës së zjarrit, si dhe një mjet të mprehtë (thikë), që janë sekuestruar si prova materiale.

Në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitë relevante policore dhe hetimore, përfshirë edhe Kryeprokurorin e Shtetit, ndërsa rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë”.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i Rasim Binakajt është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa policia është vënë në kërkim të të dyshuarit Nexhdet Zymberaj.

Hetimet për këtë rast janë në zhvillim.