Ballina Bota Gjermania po bëhet gjithnjë e më e varur nga Kina, sipas një...

Gjermania po bëhet gjithnjë e më e varur nga Kina, sipas një studimi

Bateri, panele diellore, antibiotikë: Sipas të dhënave të reja, Gjermania i importon këto mallra pothuajse ekskluzivisht nga Kina. Ndërkohë, synimi zyrtar ishte ulja e varësisë.

Në fusha strategjikisht të rëndësishme si bateritë, panelet diellore dhe antibiotikët, varësia e Gjermanisë nga Kina po rritet, sipas një studimi të ri.

Sipas Fondacionit Friedrich-Naumann për Lirinë, duke iu referuar të dhënave paraprake të Entit Federal të Statistikave të Gjermanisë, rreth dy të tretat e importeve direkte të baterive litium-jon, të matura sipas peshës, kanë ardhur nga Kina gjatë vitit të kaluar. Dy vite më parë kjo përqindje ishte ende pak më pak se gjysma.

Për panelet diellore, pjesa e importeve nga Kina është rritur nga rreth 89 për qind në afro 93 për qind, ndërsa për antibiotikët nga pak më shumë se 65 për qind në rreth 73 për qind.

“Pikërisht në sektorët kritikë, Gjermania nuk po diversifikon burimet e furnizimit, por po bëhet edhe më e varur dhe rrjedhimisht më e cenueshme”, kritikoi autori i studimit, Frederic Spohr, i cili drejton zyrat e fondacionit pranë FDP-së në Tajvan dhe Korenë e Jugut.

Ai rikujtoi strategjinë e Gjermanisë për Kinën të vitit 2023, e cila synon zvogëlimin e varësive ekonomike nga Pekini. Ndërkohë, të mërkurën ministrja federale e Ekonomisë, Katherina Reiche (CDU), pritet të zhvillojë një vizitë në Kinë.

Varësia edhe te metalet e rralla

Bashkimi Europian mbetet pothuajse plotësisht i varur nga Kina për importin e metaleve të rralla.

Sipas studimit, është rritur edhe pjesa e importeve nga Kina për metale si magnezi, galiumi dhe germaniumi. Kina konsiderohet praktikisht furnizuesi i vetëm për disa elemente të rralla, të domosdoshme për magnetët permanentë të motorëve elektrikë.

Megjithëse pjesa e përgjithshme e importeve të metaleve të rralla nga Kina ka rënë disi, vlera monetare e importeve është rritur. Analiza merr parasysh vetëm importet direkte nga Kina dhe jo furnizimet nga vende të treta që përdorin komponentë ose produkte paraprake kineze.