Ballina IA Disa përdorues të Claude-it janë zemëruar se filigranët e rinj do t’i...

Disa përdorues të Claude-it janë zemëruar se filigranët e rinj do t’i zbulojnë duke e përdorur në punë dhe në shkollë

Anthropic-u mori së fundmi vendimin që t’i pajisë përgjigjet e Claude-it me filigranë, duke vendosur në tekstet e prodhuara nga chatboti një kod të padukshëm që i shënon ato si përmbajtje të gjeneruara nga inteligjenca artificiale.

Anthropic-u e vendosi këtë politikë të re për t’i përmbushur kërkesat e Kodit të Transparencës të Aktit të BE-së për Inteligjencën Artificiale. Ky kod tani u kërkon kompanive teknologjike që përmbajtjet e gjeneruara ose të redaktuara nga IA-ja t’i etiketojnë në një mënyrë që mund të identifikohet nga sistemet kompjuterike.

Megjithatë, ndërsa rregullatorët evropianë mund të jenë të kënaqur, disa përdorues të inteligjencës artificiale nuk janë aspak të tillë.

Mjafton të shikosh në Reddit për të gjetur dëshmi të pakënaqësisë që po shtohet, ndonëse përdoruesit e tjerë të platformës nuk pajtohen me kritikët.

Një nga postimet më melodramatike që hasa ishte shkruar nga një përdorues me emrin “visionode”, llogaria e të cilit, vlen të theksohet, është hapur vetëm para tri javësh.

Publicitet

Sipas visionode-s, sistemi i ri i filigranëve është një komplot drakonian, i krijuar për t’i viktimizuar përdoruesit e pafajshëm të chatbotëve në mbarë botën.

Argumenti kryesor i visionode-s duket se është se, ndërsa përdoruesit më të aftë të Claude-it mund t’i fshehin gjurmët e përdorimit të IA-së duke i riformuluar tekstet ose duke i pastruar ato përmes shërbimeve të tjera të inteligjencës artificiale, përdoruesi mesatar i Claude-it do të zbulohet.

“Kush do të kapet? Ti. Studenti që përdori Claude-in për të riorganizuar një paragraf. Gazetari që i kërkoi IA-së të përmblidhte transkriptin prej 200 faqesh. Shkrimtari që pati bllokadë krijuese dhe kërkoi sinonime. Këta njerëz dalin nga procesi me një tatuazh digjital në ballë.”

Larg qoftë që unë ta zbeh zemërimin e visionode-s, por këta nuk janë shembujt më të mirë.

Një gazetar që i kërkon IA-së ta përmbledhë një transkript prej 200 faqesh nuk do të shqetësohet nga filigrani i vendosur në atë përmbledhje, përveçse nëse e kopjon përmbledhjen fjalë për fjalë dhe e vendos në artikullin e vet. Kjo është qartazi joetike dhe nuk duhet të ndodhë.

Po aq joetike është edhe sjellja e një studenti që e kopjon përgjigjen e Claude-it dhe e vendos në esenë e tij, pasi i ka kërkuar chatbotit “të riorganizojë një paragraf”.

Edhe përdoruesit e tjerë të Reddit-it nuk treguan ndonjë mbështetje të veçantë për zemërimin e autorit të postimit.

“Shikojeni pak këtë tip”, komentoi shkurt një përdorues.

Një tjetër i kërkoi autorit të postimit që “të merrte frymë thellë”.

Visionode nuk ishte i vetmi që u ankua. Një përdorues tjetër i pakënaqur i quajti filigranët “joetikë” dhe “të neveritshëm”, duke argumentuar se gjatë përdorimit të Claude-it pjesën më të madhe të punës e kishte kryer vetë.

Sipas tij, chatboti ishte vetëm një “mjet” që ia kishte lehtësuar punën e mundimshme.

“Unë i dhashë udhëzimet, kontekstin, vendimet dhe korrigjimet e panumërta; Claude ishte vetëm mjeti. Nëse Claude fillon ta pajisë me filigran kodin ose çdo gjë tjetër që gjeneron, për çfarë saktësisht po pretendon meritë?”, pyeti përdoruesi.

Edhe këtë herë, përdoruesit e tjerë iu kundërvunë kritikut.

“Por nuk po pretendon meritë”, u përgjigj një përdorues. “Qëllimi është të bëhet i mundur zbulimi i përmbajtjeve të gjeneruara nga IA-ja, për shkak të rreziqeve që ato mund të shkaktojnë në situata të ndryshme.”

“Ky tipi nuk arriti as të ankohej për Claude-in pa e përdorur Claude-in që t’ia shkruante ankesën”, ironizoi një tjetër.

Disa kritikë e kanë shmangur narrativën e viktimizimit dhe kanë paraqitur argumente disi më të nuancuara kundër politikës së re të Anthropic-ut.

Një përdorues, për shembull, u ankua për hipokrizinë e përgjithshme të vendosjes së filigranëve në një produkt tekstual që është gjeneruar vetë duke përvetësuar punën e njerëzve të tjerë.

“Mendoj se ky është një drejtim shumë ogurzi”, tha përdoruesi. “Unë nuk e përdor Claude-in për të shkruar asgjë, por fakti që një IA vendos filigran në punën tënde është tmerrësisht ironik, duke pasur parasysh mënyrën se si shumë prej modeleve më të avancuara i siguruan të dhënat e tyre të trajnimit.”

Megjithatë, në përgjithësi, përdoruesit kanë prirjen ta mbështesin sistemin e filigranëve si një mënyrë të arsyeshme për të gjurmuar materialet e gjeneruara nga algoritmet.

“Nuk ekziston vërtet asnjë argument i mirë se përse kjo nuk është ide e mirë”, shkroi një përdorues në një diskutim tjetër. “Arsyeja e vetme përse nuk do ta dëshiroje këtë është që të mund t’i gënjesh njerëzit.”/TechCrunch