Anthropic-u shton filigranë të padukshëm
Modelet e reja të Anthropic-ut do t’u shtojnë teksteve dhe skedarëve të gjeneruar nga Claude filigranë të lexueshëm nga makinat, për t’i respektuar rregullat e reja të Bashkimit Evropian për transparencën.
Pse ka rëndësi: Ekipet e komunikimit që e përdorin Claude-in vetëm për të korrigjuar, përkthyer ose formatuar komunikata për shtyp të hartuara nga njerëzit mund t’i pajisin pa dashje këto dokumente me një shenjë që tregon përdorimin e IA-së.
Si funksionon
Për modelet e nxjerra në tregun e Bashkimit Evropian pas 2 gushtit, Anthropic-u po e shënon përmbajtjen në dy mënyra. Këto shenja do të zbatohen “kudo ku ofrohet Claude, në mbarë botën”.
- Filigranët në tekst: Claude integron në tekstin e gjeneruar struktura të caktuara, të cilat Anthropic-u pretendon se janë “të padallueshme” për përdoruesin.
- Metadatat e skedarëve: Skedarët mediatikë të gjeneruar përmbajnë nënshkrime digjitale që vërtetojnë se materiali është përpunuar nga Claude.
Megjithatë, teknologjia ka kufizime
Anthropic-u ka theksuar dy kufizime të rëndësishme të teknologjisë së tij për zbulimin e përmbajtjeve të IA-së.
- Përmbajtja e ndihmuar nga IA-ja mund të duket sikur është gjeneruar prej saj: Një material mund ta aktivizojë shenjën e zbulueshme edhe nëse Claude është përdorur vetëm për ta korrigjuar, formatuar ose përkthyer një tekst të shkruar nga njeriu.
- Zbulueshmëria mund të humbasë: Nëse teksti rishkruhet në masë të madhe, përzihet me materiale të tjera ose është shumë i shkurtër, filigrani mund të mos zbulohet.
Rregullat e BE-së po e ndryshojnë mënyrën e identifikimit të përmbajtjeve të IA-së
Anthropic-u shpjegoi se ndryshimet synojnë përmbushjen e kërkesave të nenit 50 të Aktit të Bashkimit Evropian për Inteligjencën Artificiale. Ky nen kërkon transparencë dhe etiketim për përmbajtjet e gjeneruara ose të manipuluara nga IA-ja.
Edhe OpenAI ka paraqitur qasjen e vet për respektimin e këtyre rregullave. Megjithatë, përpjekjet e tanishme të kompanisë për përdorimin e filigranëve përqendrohen kryesisht te imazhet dhe materialet zanore, jo te tekstet.
Këto zhvillime shënojnë një kthesë të nxitur nga rregulloret në përpjekjet e vazhdueshme për t’i ndihmuar përdoruesit të identifikojnë tekstet, materialet zanore dhe përmbajtjet pamore të gjeneruara nga IA-ja.
Platformat digjitale kohët e fundit i kanë përshpejtuar edhe masat e tyre për identifikimin e përmbajtjeve të tilla:
- LinkedIn-i po teston një buton me mbishkrimin “Duket si përmbajtje e pavlerë e prodhuar nga IA-ja”.
- Substack-u ka integruar paketën e mjeteve të kompanisë Pangram për zbulimin e përmbajtjeve të gjeneruara nga IA-ja.
- Snap-i ka ndaluar promovimin e videove të gjeneruara nga IA-ja në hapësirën e tij kryesore të përmbajtjeve.
Çfarë pritet më tej
Ofruesit e sistemeve të inteligjencës artificiale kanë afat deri më 2 dhjetor 2026 për t’i përshtatur edhe modelet e tyre ekzistuese me rregullat e Bashkimit Evropian.
Kjo do të thotë se gjatë muajve të ardhshëm do të krijohet një pasqyrë më e qartë se si kompanitë më të mëdha të industrisë planifikojnë t’i shënojnë dhe identifikojnë përmbajtjet e gjeneruara nga IA-ja./Axios















