Ballina IA IA-ja sjell kursime në provat klinike, tregon studimi

IA-ja sjell kursime në provat klinike, tregon studimi

Inteligjenca artificiale jo vetëm që po e përshpejton zhvillimin e barnave në fazat e hershme, por po fillon të krijojë edhe efikasitete të reja me vlerë miliona dollarë në provat klinike për trajtimet kundër kancerit, sipas një studimi të ndarë fillimisht me Axios.

Pse ka rëndësi: Mjetet e fuqizuara nga IA-ja mund ta shkurtojnë me muaj kohëzgjatjen e proceseve që kërkojnë shumë kohë, si rekrutimi dhe përfshirja e pacientëve, monitorimi i rezultateve dhe interpretimi i të dhënave.

  • Kjo mund të çlirojë burime për zhvillimin e më shumë studimeve klinike dhe, ndoshta, ta ulë shkallën e lartë të dështimit të barnave të reja.

Çfarë zbuloi studimi

Një analizë e re e Qendrës Tufts për Studimin e Zhvillimit të Barnave zbuloi se agjentët e IA-së mund ta përshpejtojnë zhvillimin klinik të barnave kundër kancerit me rreth dhjetë javë dhe t’i ulin kostot e drejtpërdrejta operative deri në 5,6 milionë dollarë në provat e fazave të avancuara.

  • Përfitimet rriten në varësi të numrit të tumoreve që bari mund të synojë. Sipas Tufts-it, një trajtim eksperimental me 50 përdorime ose indikacione aktive mund të sjellë përfitime neto deri në 565 milionë dollarë.
  • Tufts-i aplikoi një agjent për monitorimin klinik të kompanisë Medable, e cila ofron një platformë mbështetëse për provat klinike, në një program të paspecifikuar për zhvillimin e një bari onkologjik në fazat 2 dhe 3 të provave.

Çfarë thonë ekspertët

Ken Getz, drejtor ekzekutiv i Qendrës Tufts, tha se përdorimi i këtij agjenti krijoi efikasitete të reja, si zvogëlimi i numrit të vizitave në terren, përshpejtimi i përfshirjes së pacientëve në provë dhe përmbyllja më e shpejtë e të dhënave.

“Me sa dimë ne, kjo është hera e parë që modelimi parashikues, i mbështetur në përdorimin real dhe në të dhëna krahasuese, është zbatuar për të përllogaritur ndikimin financiar neto të një zgjidhjeje me IA agjentike në një program për zhvillimin e barnave”, tha ai.

Publicitet

Agjentët e IA-së mund të bëhen pjesë standarde e provave klinike

Sipas drejtuesve të Medable-it, agjentët e IA-së mund të bëhen pjesë standarde e disa provave klinike brenda tre deri në pesë vjetësh.

Ata mund të funksionojnë në mënyrë të ngjashme me automjetet vetëdrejtuese, duke marrë përsipër mbajtjen e lodhshme, por të domosdoshme, të dokumentacionit që shoqëron kërkesën për miratimin e një bari të ri.

  • Agjentët mund të përdoren gjithashtu për të monitoruar larminë e popullatës së përfshirë në provë. Kjo është një çështje e rëndësishme, pasi ndihmon të përcaktohet nëse një trajtim eksperimental funksionon te pjesë të ndryshme të popullsisë.
  • Drejtuesit e Medable-it thonë se teknologjia do t’u mundësojë studiuesve ta kuptojnë më herët sigurinë dhe efektivitetin e një bari, duke u dhënë mundësi të përqendrohen në punë më strategjike gjatë zhvillimit të tij.
  • Kjo është veçanërisht e rëndësishme në provat klinike të barnave kundër kancerit, të cilat zakonisht janë ndër provat më të ndërlikuara dhe kanë disa nga buxhetet më të mëdha për monitorim.

IA-ja nuk garanton suksesin e një prove klinike

Përdorimi i IA-së ende nuk garanton se një provë klinike do të përfundojë me sukses.

Disa prej sfidave më të mëdha nuk lidhen me përpunimin e informacioneve, por me gjetjen e pacientëve të përshtatshëm, marrjen e pëlqimit të tyre, si dhe prodhimin dhe shpërndarjen e barit.

Ka shumë të ngjarë që njerëzit të duhet ta verifikojnë punën e kryer nga agjenti i IA-së. Kjo mbikëqyrje njerëzore mund ta zvogëlojë një pjesë të kursimit të përgjithshëm të kohës./Axios