
Barnat gjenetike po ndërhyjnë drejtpërdrejt në materialin gjenetik për trajtimin e sëmundjeve të zemrës. Ndërkohë, në kardiologji inteligjenca artificiale mund të paralajmërojë për ndërveprime të rrezikshme mes barnave.
Mynih – Mynihu njihet si “qyteti me zemër”, ndërsa nga e premtja deri të hënën do të bëhet edhe një nga qendrat botërore të specialistëve të zemrës: më shumë se 33.000 ekspertë do të marrin pjesë në Kongresin Evropian të Kardiologjisë, ESC.
Ky është një nga kongreset më të mëdha mjekësore në botë dhe për të pestën herë zhvillohet në qendrën e panaireve në Riem të Mynihut. Presidenti i ESC-së, Prof. Thomas F. Lüscher, shpjegon temat kryesore të këtij takimi ndërkombëtar të kardiologjisë.
Prof. Thomas F. Lüscher është një nga kardiologët dhe shkencëtarët më të njohur zviceranë në botë. Për shumë vite ka qenë drejtor i Klinikës së Kardiologjisë në Spitalin Universitar të Cyrihut, më pas drejtor për Kërkim, Edukim dhe Zhvillim në Royal Brompton Hospital në Londër, ndërsa prej vitit 2024 drejton Shoqatën Evropiane të Kardiologjisë.
Ku është fokusi i ESC-së këtë vit?
Tema kryesore quhet “Spotlight on Artificial Intelligence”, pra “Në fokus: Inteligjenca Artificiale” në kardiologji.
“Po flasim për përdorimin e IA-së në diagnostikim, terapi dhe në punën e përditshme klinike. Sepse në të ardhmen do të kemi një lloj të ri mjekësie, ku inteligjenca artificiale do të asistojë si bashkëpilot”, shpjegon Lüscher.

Cilat janë përparësitë?
Sipas tij, mjekësia do të bëhet më e integruar dhe më precize.
“IA-ja mund, për shembull, të analizojë një EKG ose një CT kardiake brenda pak sekondash, shumë më shpejt se çdo kardiolog. Natyrisht, mjeku duhet ta shqyrtojë në mënyrë kritike rezultatin. Por, në rastin më të mirë, falë IA-së kardiologut i mbetet më shumë kohë për pacientin.”
Cilat janë rreziqet?
Lüscher paralajmëron për rrezikun e të ashtuquajturit “deskilling”, pra humbjen graduale të aftësive profesionale të mjekëve, nëse ata mbështeten tepër te algoritmet.
Ekziston gjithashtu rreziku që gjatë arsimimit dhe specializimit mjekësor të mos ushtrohet më sa duhet aftësia për të interpretuar në mënyrë korrekte EKG-të dhe imazherinë diagnostike.
“Roli i mjekut po ndryshon. Ai duhet t’i vendosë rezultatet e IA-së në kontekstin e përgjithshëm. Prandaj, në fund janë pikërisht mendimi kritik dhe ekspertiza e mjekut ato që garantojnë sigurinë e pacientit”, thekson ai.
Si mund të ndihmojë IA-ja në rritjen e sigurisë së pacientëve?
Kur një pacient merr pesë ose më shumë barna të ndryshme, flitet për polifarmaci.
Çdo bar ka një veprim të ndryshëm në organizëm dhe ndërveprimi mes shumë barnave mund të jetë jashtëzakonisht kompleks.
“IA-ja mund të japë menjëherë paralajmërime, në mënyrë që mjeku të mund të reagojë në përputhje me rrethanat”, shpjegon Lüscher.
Në ESC do të flitet edhe për barna të reja
Një kategori e re janë barnat gjenetike, numri i të cilave po rritet vazhdimisht.
Ato nuk trajtojnë vetëm simptomat, por synojnë drejtpërdrejt shkaqet gjenetike të sëmundjeve.
Një shembull është amiloidoza, e njohur edhe si “sindroma e zemrës së ngurtë”. Në këtë sëmundje, organizmi prodhon proteina të palosura në mënyrë të gabuar dhe të patretshme, të cilat depozitohen ndërmjet qelizave të muskulit të zemrës.
Barnat e reja me bazë RNA ndërhyjnë drejtpërdrejt në prodhimin e këtyre proteinave dhe në këtë mënyrë përmirësojnë funksionin e zemrës.
A është kjo një nga çelësat e mjekësisë së së ardhmes?
“Besoj se po”, thotë Lüscher.
Sipas tij, aktualisht shumë sëmundje mund vetëm të trajtohen, ndërsa objektivi më i mirë do të ishte që sëmundja të parandalohej që në fillim.
“Ne ua zgjasim jetën pacientëve me sëmundje të zemrës, por shumë prej tyre përsëri vdesin më vonë nga një sëmundje kardiake. Për të arritur, në rastin ideal, që një person të mos pësojë fare infarkt, aktualisht po zhvillohen shumë kërkime për uljen afatgjatë dhe të qëndrueshme të kolesterolit.”
Çfarë do të thotë kjo konkretisht?
Kërkimet janë përqendruar fuqishëm te PCSK9, një proteinë/enzimë e prodhuar nga vetë organizmi, e cila ndikon në sasinë e kolesterolit të rrezikshëm LDL që qarkullon në gjak.
Sa më shumë PCSK9 të ketë në organizëm, aq më pak kolesterol i dëmshëm eliminohet nga gjaku. Kjo rrit rrezikun për aterosklerozë dhe infarkt të miokardit.
“Me barna moderne gjenetike, të cilat injektohen dy herë në vit në murin e barkut, ne mund ta frenojmë drejtpërdrejt në mëlçi prodhimin e kësaj proteine. Në këtë mënyrë, niveli i kolesterolit mbetet i ulët për një periudhë të gjatë dhe rreziku për infarkt ulet në mënyrë drastike”, shpjegon Lüscher.
Kur mund të përfitojnë pacientët nga trajtime edhe më të avancuara?
Sipas tij, brenda rreth dhjetë vjetësh kërkimet mund të përparojnë aq shumë, falë teknologjisë së modifikimit gjenetik CRISPR-Cas9, sa një trajtim i vetëm gjatë gjithë jetës mund të jetë i mjaftueshëm.
“Atëherë mund të korrigjojmë një predispozitë gjenetike, në vend që ta trajtojmë atë gjatë gjithë jetës”, thotë Lüscher.
Autobusë të posaçëm për shëndetin e enëve të gjakut dhe valvulave të zemrës
Me rastin e Kongresit Evropian të Kardiologjisë, nga e premtja deri të hënën në Mynih do të vendosen katër automjete të posaçme, të quajtura “autobusët e valvulave të zemrës”.
Ato janë pjesë e një nisme të përbashkët me moton “DIE : ZEIT : LÄUFT” – “KOHA : PO : IKËN”, të Klinikës Universitare LMU, Klinikës TUM dhe kompanisë amerikane të teknologjisë mjekësore Edwards Lifesciences.

Në Evropë, çdo dhjetë minuta vdes një person nga një sëmundje e valvulave të zemrës.
Një nga format më të shpeshta është stenoza e rëndë e aortës. Në fazat e para ajo mund të zhvillohet pa simptoma, por më vonë mund të bëhet kërcënuese për jetën.
Megjithatë, ka edhe lajme inkurajuese.
“Nëse sëmundjet e valvulave të zemrës diagnostikohen herët, në shumicën dërrmuese të rasteve ato mund të trajtohen mirë”, thotë Prof. Markus Krane nga TUM Klinikum Deutsches Herzzentrum.
“Sot, gjatë ndërhyrjeve përdorim shpesh teknika minimalisht invazive. Ndër mundësitë e reja, veçanërisht për pacientët shumë të moshuar dhe me gjendje të rënduar shëndetësore, janë edhe procedurat me kateter për zëvendësimin e valvulave të zemrës.”
Autobusët e posaçëm synojnë të informojnë qytetarët për sëmundjet e valvulave të zemrës dhe mundësitë e diagnostikimit dhe trajtimit.
Nga një autobus do të vendoset në Schwabinger Tor, Messe München, Schloss Nymphenburg dhe Sendlinger-Tor-Platz. Ata do të jenë të hapur nga ora 08:30 deri në 18:30, ndërsa në Sendlinger-Tor-Platz aktiviteti do të zhvillohet nga e shtuna deri të hënën./Merkur.de














