Gjykata Penale i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh 19-vjeçarit, i cili pardje mori pjesë në përleshjen e përgjakshme në lagjen Çair të Shkupit, ku ai dhe vëllai i tij 13-vjeçar u shkaktuan plagë me thikë tre personave, prej të cilëve dy të mitur.
Nga Gjykata informojnë se paraburgimi është caktuar mbi të tria bazat ligjore: rreziku i arratisjes, mundësia e ndikimit ndaj dëshmitarëve dhe rreziku i përsëritjes së veprës.
“Gjyqtari i procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale Shkup, duke vepruar sipas propozimit të Prokurorisë Themelore Publike Shkup për caktimin e masës për sigurimin e pranisë ndaj 19-vjeçarit B.I. nga Shkupi, i dyshuar për dhunë ndaj një fëmije në lagjen Çair të Shkupit, pas deklarimit të tij lidhur me propozimin, solli vendim me të cilin i caktoi masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh. B.I. dyshohet për veprën penale ‘Dhunë’, nga neni 386, paragrafi 6, lidhur me paragrafin 3 të Kodit Penal”, njoftoi Gjykata.
Vëllai 13-vjeçar i të paraburgosurit nuk do të përgjigjet penalisht, edhe pse, sipas njoftimit të policisë, pikërisht ai i ka goditur me thikë tre personat, mes tyre edhe një fëmijë 13-vjeçar, i cili ndodhet në gjendje të rrezikshme për jetën pasi është goditur me thikë në zemër.
Nga Prokuroria Publike njoftuan dje se 13-vjeçari nuk i nënshtrohet përgjegjësisë penale.
“I dyshuari 19-vjeçar dhe vëllai i tij i mitur, i cili ndodhet nën kufirin ligjor të përgjegjësisë penale, kanë ndërmarrë veprime të dhunshme, me të cilat një fëmije dhe një personi të rritur u janë shkaktuar lëndime të rënda trupore me plagë nga thika, ndërsa një fëmijë tjetër është lënduar më lehtë. Me veprimet e tyre kanë shkaktuar te publiku dhe te personat e pranishëm ndjenjë pasigurie, rrezikimi, frike dhe shqetësimi. Prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit madhor”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Policia, ndërkaq, informoi dje se pikërisht 13-vjeçari i ka goditur me thikë të tre personat.
Përleshja ka ndodhur më 31 gusht, rreth orës 22:00, ku B.I. (19) dhe vëllai i tij 13-vjeçar janë përleshur me persona të moshës 13, 16 dhe 19 vjeç. Fëmija 13-vjeçar ndodhet në gjendje kritike, ndërsa rëndë është lënduar edhe 19-vjeçari I.Z.
“Më 1.9.2026, zyrtarë policorë nga Njësia për Krim të Dhunshëm pranë SPB Shkup arrestuan B.I. (19) dhe një 13-vjeçar, të dy nga Shkupi, duke vepruar pas raportimit se më 31.8.2026, rreth orës 22:00, në territorin e Çairit kishte ndodhur një përleshje fizike ndërmjet dy personave nga njëra anë dhe I.Z. (19), një 13-vjeçari dhe një 16-vjeçari, të gjithë nga Shkupi, nga ana tjetër. Gjatë përleshjes, 13-vjeçari i arrestuar u ka shkaktuar me thikë plagë të tre personave të palës tjetër”, njoftoi policia.
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, informoi dje se fëmija i lënduar ndodhet në gjendje kritike dhe ka një plagë me thikë në zemër. Ai i është nënshtruar menjëherë një operacioni dhe po trajtohet në kujdes intensiv.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, e cilësoi ngjarjen si një rast të tmerrshëm të dhunës mes bashkëmoshatarëve.
Sipas ligjeve në Maqedoninë e Veriut, 13-vjeçari nuk mund të mbajë përgjegjësi penale. Ndaj tij mund të ndërmerren masa të caktuara nga Qendra për Punë Sociale.
Autoritetet kanë bërë të ditur se Qendra për Punë Sociale është njoftuar për rastin dhe për rolin e të miturit në ngjarjen penale.
Sipas Ligjit për Drejtësinë për Fëmijët në Maqedoninë e Veriut, një person që në momentin e kryerjes së veprimit nuk i ka mbushur 14 vjeç nuk mund t’i nënshtrohet sanksionit penal, pavarësisht se sa e rëndë është vepra që ka kryer.
Ligji përcakton qartë se ndaj një fëmije nën moshën 14-vjeçare “nuk mund të zbatohet sanksion” për një veprim që sipas ligjit parashikohet si vepër penale ose kundërvajtje.
Nëse gjatë procedurës konstatohet se fëmija ka qenë më i ri se 14 vjeç në momentin e kryerjes së veprës, procedura ndërpritet dhe për rastin njoftohet Qendra kompetente për Punë Sociale.
Më pas mund të zbatohen masa ndihme dhe mbrojtjeje, në varësi të vlerësimit të rrezikut dhe interesit më të mirë të fëmijës, por këto masa nuk përbëjnë dënim penal apo sanksion penal.
Regjimi i përgjegjësisë penale për fëmijët fillon nga mosha 14-vjeçare.
Për fëmijët nga 14 deri në 16 vjeç, ligji parashikon masa edukative, ndërsa për të miturit më të mëdhenj, nga 16 deri në 18 vjeç, në kushte të përcaktuara në mënyrë strikte mund të zbatohen edhe sanksione më të rënda.
Ministri Toshkovski deklaroi dje se “skena të tilla të tmerrshme, nga aspekti i veprave penale, paraqesin sfidë jo vetëm për shtete si vendi ynë, por edhe për vendet e mëdha dhe të zhvilluara anëtare të Bashkimit Evropian”.
“Bëhet fjalë për kryerjen e veprave penale jashtëzakonisht të dhunshme nga të miturit, ku përgjigjja shoqërore dhe juridiko-penale është shumë më ndryshe sesa në rastet kur kemi të bëjmë me persona madhorë. Këtu, si shoqëri, duhet të hyjmë pak më thellë në problem dhe duhet të ketë një përgjigje më të gjerë institucionale – si nga ministritë kompetente, ashtu edhe nga të gjithë faktorët shoqërorë, prindërit, qendrat sociale, MPB-ja, Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Ministria e Arsimit, qendrat shëndetësore dhe Ministria e Shëndetësisë. Vërtet, kjo është një nga sfidat më të tmerrshme me të cilat përballemi”, deklaroi ministri Toshkovski./TN















