Ballina Lajme E goditi rrufeja sapo doli nga shtëpia, kamerat filmuan momentin dramatik (VIDEO)

E goditi rrufeja sapo doli nga shtëpia, kamerat filmuan momentin dramatik (VIDEO)

I mbijetoi goditjes nga rrufeja, kamerat filmuan momentin dramatik
Një burrë nga Staten Island, Nju Jork, ka shpëtuar mrekullisht pasi u godit nga rrufeja vetëm pak metra larg makinës së tij. Thomas Fahmy po ecte në Todt Hill Road pranë Windsor Road, kur një goditje e fuqishme e rrëzoi përtokë. Kamerat e sigurisë kanë kapur momentin kur ai papritur bie në tokë.

Fahmy tha se ndjeu një tronditje të fortë në të gjithë trupin, të shoqëruar me djegie, mpirje, therje dhe dhimbje të forta në të dyja këmbët. Pavarësisht goditjes, ai nuk humbi ndjenjat dhe arriti të ngrihej e të kërkonte ndihmë. Një banore, Stephanie Homan, dëgjoi thirrjet e tij për ndihmë dhe i shkoi menjëherë në ndihmë.

Edhe pse nuk pësoi djegie të dukshme apo dëmtime të rënda, Fahmy u dërgua në Staten Island University Hospital, ku qëndroi nën vëzhgim gjatë natës dhe u lirua të nesërmen. Ai punon në zyrën e kongresmenes amerikane Nicole Malliotakis, e cila shprehu lehtësim që ai kishte shpëtuar dhe falënderoi personin që i dha ndihmën e parë, si dhe stafin mjekësor.

Pas ngjarjes, Fahmy tha se përvoja i ka ndryshuar mënyrën se si e sheh jetën. “Duhet ta vlerësojmë jetën, të buzëqeshim, të marrim frymë dhe të mos lejojmë që jeta të na pushtojë”, u shpreh ai. Sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, rreth 37 milionë rrufe godasin tokën në SHBA çdo vit, ndërsa rreth 90% e personave që goditen nga rrufeja mbijetojnë.

/vizionplus.tv