Inteligjenca artificiale po depërton në gjithnjë e më shumë sektorë dhe fusha të jetës. Qeveria federale gjermane ka krijuar tani një institut që do të merret posaçërisht me çështjet e sigurisë së inteligjencës artificiale. Instituti i ri i sigurisë së IA-së ka nisur tashmë punën.
Instituti i sapokrijuar për Sigurinë e Inteligjencës Artificiale, i quajtur AISI Deutschland, do të vlerësojë mundësitë dhe rreziqet që lidhen me modelet e IA-së dhe do të synojë forcimin afatgjatë të qëndrueshmërisë së Gjermanisë në fushën e inteligjencës artificiale.
Pa ndonjë ceremoni të madhe apo aktivitet publik, instituti i ri gjerman për sigurinë e inteligjencës artificiale ka nisur punën në Berlin. Në një deklaratë të përbashkët të Ministrisë Federale të Brendshme dhe Ministrisë Federale të Digjitalizimit thuhet se ngritja e institutit zbaton një vendim të Këshillit Kombëtar të Sigurisë të marrë në muajin qershor.
Dy dimensione të sigurisë
Detyra e institutit, i cili do të mbajë emrin AISI Deutschland – ku AI nënkupton Artificial Intelligence, ndërsa SI Security and Safety Institute – do të jetë vlerësimi i mundësive dhe rreziqeve që modelet e inteligjencës artificiale paraqesin për Gjermaninë, si dhe forcimi në mënyrë të qëndrueshme i rezistencës së vendit në fushën e IA-së.
Në fazën fillestare, Agjencia Federale e Rrjeteve dhe Zyra Federale për Sigurinë e Teknologjisë së Informacionit (BSI) do të përbëjnë bërthamën e institucionit të ri.
BSI-ja do të merret me çështjet e sigurisë kibernetike – “Security”, pra me mbrojtjen e sistemeve të inteligjencës artificiale dhe të dhënave të tyre nga sulmet, ndërhyrjet dhe keqpërdorimi.
Ndërsa Agjencia Federale e Rrjeteve do të ketë përgjegjësinë për dimensionin “Safety”, që lidhet me gabimet ose sjelljet e paqëllimshme të sistemeve. Shembuj të tillë mund të jenë një automjet autonom që e identifikon shumë vonë një pengesë në rrugë ose një sistem mjekësor i bazuar në IA që nuk arrin të dallojë një tumor në një imazh radiologjik.
Kur modelet e IA-së dalin jashtë kontrollit të parashikuar
Megjithatë, në raste konkrete, kufiri mes dy dimensioneve të ndryshme të sigurisë nuk është gjithmonë i qartë.
Kompanitë amerikane Anthropic dhe OpenAI së fundmi kanë pranuar se, gjatë disa testeve, modelet e tyre të inteligjencës artificiale kishin hyrë në mënyrë të paplanifikuar në sisteme kompjuterike të kompanive reale.
Këto raste kanë forcuar shqetësimet që ekzistojnë prej vitesh lidhur me mundësinë e kryerjes së sulmeve kibernetike me ndihmën e inteligjencës artificiale.
Ministri federal gjerman i Digjitalizimit, Karsten Wildberger (CDU), deklaroi se Gjermanisë i nevojitet një institut i fuqishëm për sigurinë e inteligjencës artificiale, në mënyrë që vendi të jetë në gjendje të ndjekë ritmin shumë të shpejtë të zhvillimit teknologjik.
“AISI Deutschland krijon bazën që Gjermania të ruajë lidhjen ndërkombëtare me zhvillimet në inteligjencën artificiale”, deklaroi ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt (CSU).
Më pak varësi digjitale
Presidentja e BSI-së, Claudia Plattner, tha se digjitalizimi është një nga pikat qendrore të një bote që po ndryshon në mënyrë masive dhe që po ndikon në rregullat e bashkëjetesës, në politikë, në raportet e pushtetit dhe në interesat shtetërore.
Në qendër të këtij zhvillimi, sipas saj, qëndron inteligjenca artificiale.
“Ajo po ndryshon në mënyrë vendimtare edhe situatën e sigurisë”, deklaroi Plattner.
Sipas saj, kjo fazë transformimi mund të sjellë paqëndrueshmëri, por njëkohësisht mund të shërbejë si pikënisje për rritjen e qëndrueshmërisë dhe nxitjen e inovacionit.
Gjermania, tha ajo, duhet ta përballojë këtë sfidë strategjike, të vlerësojë mundësitë dhe rreziqet që modelet e avancuara të inteligjencës artificiale paraqesin për vendin, të forcojë në mënyrë të qëndrueshme sigurinë në fushën e IA-së dhe të garantojë sovranitetin digjital.
Në këtë drejtim, themelimi i AISI Deutschland, sipas Plattner, përbën një moment historik.
Instituti i ri do të ketë gjithashtu detyrën të këshillojë qeverinë federale gjermane dhe të bashkëpunojë me partnerë evropianë dhe transatlantikë.
Një tjetër objektiv është bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë për krijimin e standardeve të unifikuara për përdorimin efektiv dhe të sigurt të modeleve të avancuara të inteligjencës artificiale.
Burimi: dpa / BigData-Insider















