Ballina Aktualitet Gjykata e Posaçme i caktoi masën “arrest me burg” dhe pezullim nga...

Gjykata e Posaçme i caktoi masën “arrest me burg” dhe pezullim nga detyra, kryetarja e SHISH Vlora Hyseni iu dorëzohet autoriteteve shqiptare në kufi me Kosovën

Është vetëdorëzuar këtë të martë në pikën kufitare të Morinës, ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni.

Kujtojmë se paraditen e kësaj të marte, SPAK lëshoi ndaj saj masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Ndërkohë, pasditen e sotme, kreu i qeverisë, Edi Rama, e shkarkoi nga detyra.

Kush është Vlora Hyseni?

Vlora Hyseni ka punuar për disa vite në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, ku fillimisht kishte mbajtur postin e drejtoreshës së Marrëdhënieve me Jashtë dhe më pas, nga viti 2019, atë të zëvendësdrejtoreshës. Në mesin e vitit 2021, ajo u shkarkua nga detyra nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Edhe pse arsyet zyrtare nuk u bënë kurrë publike, në media u përfol për dyshime mbi integritetin dhe mosruajtjen e informacioneve të klasifikuara.

Ardhja në Shqipëri

Pas largimit nga Prishtina, Vlora Hyseni gjeti menjëherë mbështetje në Tiranë: Këshilltare e Kryeministrit. Në shtator të vitit 2021, Kryeministri Edi Rama e afroi duke e emëruar si këshilltare të tij për çështjet e sigurisë.

Emërimi në krye të SHISH

Video bonus

Më 17 mars 2023, Rama i propozoi Presidentit Bajram Begaj emrin e saj si drejtuese e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH). Ky propozim u shoqërua me debate të forta, pasi opozita kërkoi transparencë për arsyet pse ajo ishte shkarkuar në Kosovë. Pavarësisht debateve, ajo u dekretua zyrtarisht më 3 prill 2023, duke u bërë gruaja e parë në histori që drejton këtë institucion. Por, pas më shumë se tre vitesh në krye të SHISH, Vlora Hyseni do duhet të përballet me akuzat e Prokurorisë së Posaçme për dosjen e “AKSHI”.

Roli ndërkombëtar

Gjatë kohës në krye të SHISH, ajo u vlerësua në disa portale ndërkombëtare të inteligjencës (si Intelligence Online) për përfshirjen e shërbimit shqiptar në sfidat globale, luftën ndaj kërcënimeve hibride ruse e iraniane dhe menaxhimin e krizave.

Pezullimi nga detyra

Sot, më 22 shtator 2026, rrugëtimi i saj në krye të SHISH u ndërpre pasi Gjykata e Posaçme (GJKKO) pranoi kërkesën e SPAK duke caktuar ndaj saj masat “arrest në shtëpi” dhe “pezullim nga detyra”. Ajo po hetohet në kuadër të fraksionit të ri të dosjes “AKSHI”, nën dyshimet për “Përkrahje të autorit të krimit” dhe “Zbulim të akteve ose të dhënave sekrete”. Tashmë që ajo nuk ndodhet në Shqipëri, pritet të shihet se çfarë rruge do të ndjek SPAK për të vënë në bankën e të akuzuarve Vlora Hysenin.