Ballina Kronika Tragjedi në Itali: 51-vjeçari shqiptar gjendet i pajetë në një kantier në...

Tragjedi në Itali: 51-vjeçari shqiptar gjendet i pajetë në një kantier në Padova

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Padova të Italisë, ku 51-vjeçari me origjinë shqiptare, Altin Kokici, është gjetur i pajetë në një kantier ndërtimi.

Sipas gazetës italiane Corriere del Veneto, trupi i 51-vjeçarit u gjet gjatë natës mes së mërkurës dhe së enjtes në një ndërtesë ku po kryhen punime rikonstruksioni.

Kokici, banues në provincën e Vicenzës, ishte pronar i një firme në Sossano, të specializuar në punime murature.

Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se shqiptari ka rënë në boshtin e ashensorit dhe ka humbur jetën si pasojë e rënies.

Alarmin e dhanë familjarët, pasi 51-vjeçari nuk ishte kthyer në shtëpi dhe nuk kishte dhënë më asnjë lajm që nga orët e para të pasdites.

Familjarët, përmes funksionit të gjeolokalizimit të celularit, konstatuan se telefoni i tij vazhdonte të ndodhej në zonën e kantierit. Edhe furgoni i Kokicit kishte mbetur i parkuar pranë ndërtesës, me pjesën e ngarkesës ende të hapur.

Pas alarmit, në kantier mbërritën efektivët e Policisë së Padovës. Pasi hynë në ndërtesë, policët telefonuan numrin e celularit të 51-vjeçarit dhe, duke ndjekur zilen e telefonit, arritën deri te boshti i ashensorit.

Video bonus

Aty gjetën trupin e pajetë të Altin Kokicit.

Në vendngjarje ndërhynë gjithashtu ekipet e urgjencës mjekësore dhe zjarrfikësit.

Autoritetet italiane po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe dinamikën e saktë të aksidentit.

Burimi: Corriere del Veneto