Ballina Bota Ajo nuk buzëqesh kurrë për të: Si gazetarja e CNN-it Kaitlan Collins...

Ajo nuk buzëqesh kurrë për të: Si gazetarja e CNN-it Kaitlan Collins e tërbon Donald Trumpin

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Presidenti e quan “të neveritshme”, i heq akreditimin dhe i kërkon të buzëqeshë. Por kryekorrespondentja e CNN-it në Shtëpinë e Bardhë, Kaitlan Collins, u përgjigjet sulmeve të Trumpit me gjakftohtësi dhe besnikëri ndaj fakteve. Pikërisht kjo e bën atë një kundërshtare kaq të vështirë për presidentin.

Nga Birgit Schmid

Përplasjet mes tyre duken tashmë si një ritual i njohur, sikur asnjëri të mos mund të qëndrojë larg tjetrit. Pak pasi Donald Trumpi, në fund të shtatorit, kishte përjashtuar CNN-in dhe disa media të tjera nga Shtëpia e Bardhë, ai mbajti një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Dhe aty ishte sërish ajo, gazetarja Kaitlan Collins, të cilën presidenti ishte përpjekur ta ndëshkonte për “raportimet e rreme”, duke i ndaluar hyrjen në Shtëpinë e Bardhë.

Por Collins nuk ia plotësoi dëshirën Trumpit duke qëndruar në heshtje. Nga hapësira e rezervuar për gazetarët, ajo e pyeti se çfarë mendonte për pakënaqësinë në rritje të votuesve republikanë lidhur me luftën në Iran.

“Ju nuk duhet të jeni këtu për të raportuar për mua”, i tha Trumpi. Collins iu përgjigj: “Kombet e Bashkuara na kanë dhënë leje, zotëri.”

“Ajo është e reja më e palumtur që kam parë ndonjëherë”

Collins, 34 vjeçe, e cila brenda një kohe të shkurtër arriti të bëhej kryekorrespondente e CNN-it në Shtëpinë e Bardhë, përballet me Trumpin falë këmbënguljes së saj. Ajo bën pyetje që presidentit nuk i pëlqejnë. Ai ia shpreh pakënaqësinë duke e qortuar, nënçmuar dhe duke u përpjekur ta fyejë. Por përpjekjet e tij nuk japin rezultat: Collins nuk zmbrapset.

Trumpi e ka quajtur vazhdimisht Collins-in “nasty”, që në këtë kontekst nënkupton “të neveritshme”. Kështu ndodhi, për shembull, kur ajo e pyeti për koston e sallës së ballove që ai planifikonte të ndërtonte. Këtë verë, presidenti u ankua se ajo nuk buzëqeshte kurrë. Në një rast tjetër, e sulmoi duke thënë se kishte “urrejtje në sy”.

Kur Trumpi urdhëroi përjashtimin e CNN-it, revistës “Politico” dhe kanalit informativ MS Now, ai e arsyetoi vendimin duke thënë se askush nuk duhej të duronte raportime negative dhe të sajuara, sidomos kur ai kishte arritur rezultate të jashtëzakonshme, si në rastin e Venezuelës. Sipas tij, mediat nuk shkruanin kurrë pozitivisht për të dhe nuk e trajtonin në mënyrë të drejtë.

Pastaj e përmendi Collins-in me emër. “Çfarë problemi ka kjo Kaitlan Collins e çmendur?”, tha ai. “Ajo është një person krejtësisht mesatar. Është e reja më e palumtur që kam parë ndonjëherë.”

Ajo i përballon sulmet me qetësi stoike

Ndërkohë, shprehja e fytyrës së Collins-it mbetet e pandryshuar. Vështrimi i saj është i drejtpërdrejtë dhe plotësisht i përqendruar. Ajo nuk shfaq asnjë emocion dhe vazhdon të bëjë pyetje. Qëndrimi i saj përcjell një mesazh të qartë: Nuk do të zbres në këtë nivel. Le të përqendrohemi te çështja.

Pikërisht për këtë ajo merr vlerësime dhe admirim. Në grupet e admiruesve të Kaitlan Collins-it, gratë e reja e lavdërojnë për guximin që tregon duke iu kundërvënë një burri kaq të fuqishëm.

Presidenti amerikan dhe gazetarja e re janë më të lidhur me njëri-tjetrin sesa ndoshta do të donin ta pranonin. Collins ia detyron Trumpit, të paktën pjesërisht, ngritjen e saj të shpejtë në qendër të pushtetit politik dhe faktin që tashmë njihet edhe jashtë Shteteve të Bashkuara.

Nga ana tjetër, për Trumpin ajo mishëron pikërisht cilësitë që ai në të vërtetë i admiron dhe i dëshiron: është një grua e re, e bukur, inteligjente, e shkathët në përgjigje dhe profesioniste, e cila di ta përdorë vëmendjen e mediave si armë, njësoj si ai.

Por ka një dallim thelbësor: ajo nuk buzëqesh për të, siç bëjnë gratë që punojnë për Trumpin dhe që, në këtë mënyrë, i tregojnë se sa shumë e admirojnë. Një shembull i kohëve të fundit është Katie Zacharia, e cila për pesë ditë shërbeu si zëdhënëse e tij për shtyp.

Vitet e formimit profesional te Tucker Carlson

Collins u rrit në qytetin e vogël Prattville, në Alabama. Ajo ishte më e madhja nga pesë fëmijët e familjes, gjë që ndoshta shpjegon edhe ambicien e saj për të spikatur dhe për të qenë gjithmonë pak më e mirë se të tjerët.

Në intervista, ajo ka treguar se në familjen e saj nuk flitej kurrë për politikë. As pikëpamjet e majta dhe as ato të djathta nuk kishin ndikuar në formimin e saj.

Ndoshta Collins arrin t’i bëjë ballë kaq mirë retorikës agresive të Trumpit pikërisht sepse zanatin e gazetarisë e mësoi te Tucker Carlson, drejtues podkastesh dhe ish-mbështetës i presidentit.

Pas studimeve për shkenca politike dhe gazetari, ajo u zhvendos në Uashington, ku kreu një praktikë profesionale në portalin konservator të djathtë “The Daily Caller”, të bashkëthemeluar nga Carlson.

Fillimisht punoi në rubrikën e argëtimit, por shumë shpejt u ngrit në detyrë dhe u bë korrespondente në Shtëpinë e Bardhë. Në atë kohë ishte vetëm 24 vjeçe.

Sot, Collins thotë se kur aplikoi për punë si gazetare e re, nuk ishte e vetëdijshme për orientimin populist të djathtë të “The Daily Caller”.

Në të vërtetë, nuk ka arsye të thuhet se puna në këtë portal ndikoi në mënyrë të qëndrueshme në bindjet e saj politike. Megjithatë, përvoja e fituar atje i shërben edhe sot: ajo e njeh mirë atë që shqetëson bazën elektorale të së djathtës dhe ka përvetësuar një stil pyetjesh të drejtpërdrejtë, të ashpër dhe këmbëngulës.

Përjashtimi nga një aktivitet në Kopshtin e Trëndafilave

Më pas CNN-i e vuri re Collins-in dhe e rekrutoi.

Collins dhe Trumpi e nisën pothuajse njëkohësisht rrugëtimin e tyre në Uashington. Më 20 janar 2017, ditën kur Trumpi bëri betimin për mandatin e tij të parë presidencial, ajo nisi të raportonte nga Shtëpia e Bardhë për CNN-in.

Pak më shumë se një vit më vonë, pyetjet e saj e zemëruan aq shumë presidentin, sa ai e përjashtoi nga një aktivitet në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë.

Pyetjet që e kishin acaruar Trumpin lidheshin me marrëdhënien e tij me ish-avokatin Michael Cohen, i cili, sipas udhëzimeve të Trumpit, i kishte paguar aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels një shumë parash në këmbim të heshtjes. Collins e kishte pyetur gjithashtu për një ftesë të mundshme drejtuar Vladimir Putinit për të vizituar Uashingtonin.

Vendimi për ta ndëshkuar gazetaren shkaktoi reagime të forta në media. Madje edhe Fox News shprehu solidaritet me të, duke mbrojtur parimin e lirisë së shtypit.

Edhe në shtator, CNN-i, “Politico” dhe MS Now gjetën mbështetje te televizionet kryesore. Pasi këtyre mediave iu hoqën akreditimet, organizatat e tjera mediatike, në shenjë proteste, ndërprenë transmetimin e drejtpërdrejtë të daljeve publike të Trumpit.

Ndërkohë, një gjykatës federal e ka shfuqizuar pjesërisht ndalimin e hyrjes.

Emisioni i saj politik “The Source”

Që në përplasjen e parë me Trumpin, Collins nuk krijonte përshtypjen se kishte nevojë për dikë që ta mbronte.

Ajo vazhdoi ta shoqëronte presidentin gjatë fushatave elektorale dhe udhëtimeve jashtë vendit me avionin presidencial “Air Force One”.

Pesë vjet më parë, CNN-i e emëroi kryekorrespondenten më të re në moshë që kishte pasur ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë.

Më pas mori drejtimin e emisionit të saj politik, “The Source”, i cili transmetohet çdo mbrëmje në orarin me audiencën më të lartë.

Mes të ftuarve të saj ka pasur edhe politikanë republikanë, si zëvendëspresidenti J. D. Vance dhe ish-zëvendëspresidenti Mike Pence.

Dy javë përpara sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor 2023, ajo intervistoi Benjamin Netanyahun. Pas sulmit, udhëtoi në Izrael dhe për disa javë e drejtoi emisionin nga Tel Avivi.

Collins njihet për përgatitjen e hollësishme dhe seriozitetin në hulumtimin gazetaresk.

Në fillimet e karrierës, pas përfundimit të punës, ajo kthehej në shtëpi dhe kalonte mbrëmjet duke studiuar e lexuar.

“Sepse doja të ndihesha se e kisha vendin aty dhe se e kisha merituar të isha në sallën e konferencave për shtyp”, i tha ajo revistës “Elle” në vitin 2024.

Përpara çdo interviste me një politikan, ajo duhet ta njohë në hollësi temën për të cilën do të flasë, “sepse jam e vetëdijshme për përgjegjësinë dhe peshën e saj”, shpjegoi Collins.

Mesazhi në filxhanin e çajit

Ndërkohë, Collins vazhdon ta vërë Trumpin në vështirësi me pyetjet e saj.

Kur e pyeti për dokumentet që lidhen me Jeffrey Epstein-in, presidenti e quajti “gazetarja më e keqe”. Ai tha se gjatë dhjetë vjetëve që e njihte, nuk e kishte parë asnjëherë të sillej në mënyrë miqësore.

Megjithëse në praninë e Trumpit nuk shfaq asnjë reagim emocional, Collins herë pas here bën komente të tërthorta në raste të tjera, me ironi të hollë, por pa kaluar në sulme personale.

Kur Stephen Colbert, në emisionin e tij televiziv të mbrëmjes, e pyeti për reagimin e Trumpit ndaj pyetjes për Epstein-in, ajo shpjegoi se pyetja nuk kishte përmbajtur asnjë akuzë.

Shtoi gjithashtu se nuk mund të buzëqeshte kur bëhej fjalë për trafikimin e qenieve njerëzore dhe shfrytëzimin seksual.

Pasi Trumpi e kishte quajtur “nasty”, në tavolinën e saj gjatë emisionit “The Source” u shfaq një filxhan me mbishkrimin “America Needs Nasty Women” – “Amerikës i duhen gra të papërkulura”.

Gjatë darkës së korrespondentëve këtë verë, Collins u nderua me një çmim për “raportim të shkëlqyer mbi presidentin”.

Çmimi iu dha për kronikën e saj mbi përplasjen mes Trumpit dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Zyrën Ovale, në shkurt.

Në fjalimin e tij, Trumpi e quajti çmimin “të rremë” dhe tha se Collins ishte “një grua e re, tërheqëse”, por që nuk buzëqeshte kurrë.

Ai e krahasoi gazetaren me gruan transgjinore Dylan Mulvaney dhe publikoi në platformën e tij Truth Social një imazh të krijuar me inteligjencë artificiale, ku fytyra e Collins-it ishte vendosur mbi trupin e Mulvaneyt.

Ishte mënyra e tij për t’u hakmarrë ndaj sjelljes së saj, të cilën e konsideronte “jo femërore”.

Collins iu përgjigj në Instagram me një thënie të ish-zonjës së parë Eleanor Roosevelt: “Askush nuk mund të të bëjë të ndihesh inferior pa pëlqimin tënd.”

Seksist, por a është edhe mizogjin?

Për hir të drejtësisë, duhet pranuar se asnjë politikan nuk do ta duartrokiste një gazetare që e vë vazhdimisht përballë pyetjeve të pakëndshme dhe që mund ta nxjerrin në dritë të keqe.

Trumpi tallet edhe me burrat dhe i sulmon ata personalisht.

Pavarësisht deklaratave të tij fyese dhe pa takt, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ai i urren gratë.

Ai nuk pranon kritika ndaj ish-zëdhënëses së tij Karoline Leavitt apo këshilltares Natalie Harp. Por ato janë edhe mjaftueshëm të përshtatura me kërkesat dhe pritshmëritë e tij.

Megjithatë, t’i kërkosh vazhdimisht një gruaje të buzëqeshë vetëm për faktin se është grua, është sjellje seksiste.

Trumpi e ka treguar që në vitin 2015 se akuza të tilla nuk e shqetësojnë.

Atëherë, pasi moderatorja e Fox News-it, Megyn Kelly, i kishte bërë pyetje kritike gjatë një interviste, ai deklaroi se mund të shihej se si i dilte gjak nga sytë dhe “nga kudo tjetër”.

Ai e quajti “budallaqe” korrespondenten e MS Now, Akayla Gardner, kur ajo e pyeti për dyfishimin e kostos së sallës së ballove.

Një vit më parë, gazetares së Bloomberg News, Catherine Lucey, e cila i kishte bërë një pyetje për Epstein-in, i tha: “Quiet, quiet, piggy!” – “Hesht, hesht, derrkuc!”

Me fjalë të tjera, i kërkoi të mbyllte gojën, duke e fyer.

Trumpi, një faktor në ngritjen e profilit të saj

Që kur Trumpi është në pushtet, mediat mund ta forcojnë profilin e tyre përmes qëndrimit kritik ndaj tij.

Ato merren vazhdimisht me presidentin, ndërsa ai u sjell audiencë më të lartë.

Duke u përpjekur t’i përjashtojë mediat kritike, Trumpi në fakt kontribuon edhe më shumë në rritjen e profilit publik të gazetareve si Collins.

Por a do të vazhdojë ajo të tërheqë po aq vëmendje kur Trumpi të largohet një ditë nga pushteti?

Collins duket se ka përpara një të ardhme premtuese.

Vështirë se ajo do të ketë arsye të shqetësohet për vendin e saj të punës në CNN, ku aktualisht ekziston frika e shkurtimeve të personelit.

Nëse kompania Paramount, e sipërmarrësit David Ellison, merr në pronësi Warner Bros., kompaninë mëmë të CNN-it, ekziston gjithashtu shqetësimi se televizioni mund të humbasë pavarësinë e tij redaksionale.

David Ellison është djali i miliarderit Larry Ellison, mik dhe mbështetës i Trumpit.

Si një sinjal shqetësues shihet edhe largimi i gazetares së njohur Christiane Amanpour, e cila po ndahet nga CNN-i pas 43 vjetësh.

Por karriera e Kaitlan Collins-it do të vazhdojë.

Falë Donald Trumpit, ajo mund të jetë e sigurt se do të mbetet në qendër të vëmendjes mediatike edhe gjatë dy vjetëve të ardhshëm.

E qetë dhe e përmbajtur, ajo arrin ta mbajë situatën nën kontroll, ndërsa Trumpi kërkon vazhdimisht përballje të ashpra.

Gjatë një paraqitjeje në emisionin “The Daily Show” të Jon Stewartit, Collins shpjegoi pse nuk përfshihet në përplasje verbale me presidentin.

Sipas saj, çështja nuk ka të bëjë me të personalisht dhe as me mënyrën se si ajo reagon.

“Është e rëndësishme ta rikthejmë vëmendjen te puna jonë, te pyetja që bëjmë dhe te përgjigjet shmangëse që marrim”, tha Collins.

Dhe buzëqeshi.

(NZZ – Neue Zürcher Zeitung)