Ballina Top Lajm Supergrabitja në Rinas/ Kush i tregoi autorëve për paratë dhe i mundësoi...

Supergrabitja në Rinas/ Kush i tregoi autorëve për paratë dhe i mundësoi hyrjen në aeroport?

Grabitja e 10 milionë eurove ditën e djeshme është një ngjarje e përsëritur. Përveç shumës së parave që është shumë e madhe, ka edhe një detaj tjetër domethënës. Autorët kanë qënë të armatosur rëndë, me armë automatike dhe granata dore të shumta. Kjo ngre shumë pikëpyetje dhe shton dyshimet.

Si është e mundur që të cënohet sërish perimetri i sigurisë së aeroportit? Pse nuk është sinjalizuar më parë grabitja nga telekamerat apo sistemet e alarmit?

A ka bashkëpunim në këtë grabitje të njerëzve nga radhët e aeroportit, kompanisë që kujdeset për sigurinë, nga policia, kompania private që transportonte paratë dhe persona të tjerë që kishin dijeni për ngarkesën e vlerës monetare?

Ende nuk ka një përgjigje, por policia ka lëshuar katër urdhër-arreste dhe ka shoqëruar 40 persona qe mendohet se mund të jenë të përfshirë në këtë ngjarje ose mund të kenë informacion, përfshi këtu personel të aeroportit.

Grabitja e djeshme nuk duhet trajtuar thjesht si një ngjarje kriminale e radhës. Ajo është një ngjarje që cënon edhe sigurinë kombëtare pasi ka ndodhur brenda një zone ku presupozohet që niveli i sigurisë të jetë maksimal.

Dhe aq më tepër kemi të bëjmë me ngjarje të përsëritur. Në verën e vitit 2016 me po të njëjtën skemë u grabitën 3 milionë euro. Ka ende detaje që duhen zbardhur nga ngjarja e sotme, por për një gjë biem të gjithë dakord. Krimi në Shqipëri ka marrë një hov të frikshëm dhe strukturat e sigurisë duken të tulatura përballë tij./Lapsi

@tn.lajmelokale
@tetovanews