Ballina Aktualitet Gjithë çfarë që ndodhi pas zyrtarizmit të marrëveshjes bashkë qeverisëse LVV-LDK

Gjithë çfarë që ndodhi pas zyrtarizmit të marrëveshjes bashkë qeverisëse LVV-LDK

Të dy partitë patën shumë takime dhe mospajtime mes vete përkundër që donin një koalicion qeverisës për legjislaturën e shtatë.

Sipas kësaj marrëveshjeje, Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga LVV dhe LDK do të ketë 15 ministri, dy zëvendëskryeministra dhe rreth 33 zëvendësministra.

Sipas Kushtetutës së Kosovës tre ministri do t’i takojnë komuniteteve pakicë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, do t’i takojë Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila ishte pika përfundimtare që të dy partitë nuk binin dakord, pasi Glauk Konjufca ishte zgjedhur me shumicë votash në këtë post.

Ndërkaq, janë marrë vesh që çështja e presidentit të mbetet kur t’i përfundojë mandati presidentit aktual Hashim Thaçi.

Dy liderët, Albin Kurti dhe Isa Mustafa, në një konferencë të përbashkët për media njoftuan për arritjen e marrëveshjes dhe ndarjen e përgjegjësive në kuadër të qeverisë së re.

“Ne sot u takuam me kryetarin Isa Mustafën dhe u dakorduam që të takohemi edhe nesër për ta zgjedhur qeverinë e re dhe në këtë mënyrë ta jetësojmë ndryshimin e madh politik të 6 tetorit. Ne tashmë kemi nënshkruar marrëveshjen dhe jemi marrë vesh për të gjitha, përveç për harmonizimin e programit edhe për ndarjen e përgjegjësive në kuadër të qeverisë së re, ku ne do të bashkë qeverisim”, tha i man datuari për kryeministër, Albin Kurti.

Kreu i LDK-së Kosovës, Isa Mustafa tha se dy partitë dëshirojnë që qeveria të jetë e suksesshme.

“Ne kemi arritur marrëveshje dhe vlerësojmë se është marrëveshje e mirë është në interes të ndryshimeve që domosdoshmërisht duhet të ndodhin në vendin tonë”, tha Mustafa.

Pas kësaj, LDK mblodhi Kryesinë, duke marrë vendime për emrat e ministrave që do të jenë në Qeverinë Kurti.

Lidhja Demokratike e Kosovës do ta udhëheqë, Ministrinë e Punëve të Brendshme, të Infrastrukturës, të Bujqësisë, të Arsimit, të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe atë të Mbrojtjes.

Vetëvendosje do ta udhëheqë Ministrinë e Punëve të Jashtme, atë të Drejtësisë, të Financave, të Ekonomisë, të Shëndetësisë dhe atë të Integrimeve Evropiane.

LDK-ja do të udhëheqë Kuvendin. Edhe pse emri i Vjosa Osmanit u miratua në Kryesinë e LDK-së, siç raportohet ajo nuk e do karrigen e Kryetarit të Kuvendit por atë të MPB-së, që tani për tani është vendosur emri i Agim Veliut.

Propozimi i Agim Veliut si ministër i MPB-së çon Podujevën në zgjedhje të jashtëzakonshme

Pas miratimit të listës së emrave që do të jenë pjesë e qeverisë Kurti, Komuna e Podujevës tashmë është në heshtje. Kjo pasi kryetari i tanishëm, Agim Veliu do të bëhet ministër i Brendshëm.

Largimi i Veliut nga karrigia e të parit të Podujevës, do të çojë këtë komunë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Mbetet që të hënën të vendoset përfundimisht, nëse Veliu do të votohet si ministër i MPB-së.

Sipas ligjit, në momentin që e pranon pozitën e ministrit, Veliu duhet të japë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Podujevës dhe ky qytet brenda 45 ditësh mban zgjedhjet e reja ku zgjidhet kryetari i ri.

Ligji nr.03/L-040 për vetëqeverisjen lokale tregon se kur përfundon mandati i kryetarit të komunës.

Pas lidhjes së marrëveshjes pati edhe reagime

Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë thënë se nuk do të mbështesin Qeverinë e re të Kosovës.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq ka deklaruar të dielën në Beograd pas konsultimeve me Qeverinë e Serbisë së subjekti politik që ai përfaqëson është ftuar vetëm njëherë në konsultime për Qeverinë e re të Kosovës.

“Kemi mësuar nga mediat se është arritur njëfarë koalicioni dhe kemi vendosur të mos e përkrahim atë qeveri ngase i besojmë vetëm Beogradit”, ka thënë Rakiq, pas takimit me kryeministren serbe Ana Bërnabiq dhe shefin e zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq.

Ky i fundit tha se Lista Serbe do të marrë pjesë në institucionet e Kosovës, pavarësisht se nuk do ta mbështesë qeverinë.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar se AAK-ja nuk do ta votojë Qeverinë Kurti, në seancën e së hënës.

Ai tha se nuk do të dorëzojë mandatin me ceremoni zyrtare tek Albin Kurti.

Këtë tha se mbase do ta bëjë me telefon, ose ndonjë zëvendës i tij do t’ia dorëzojë mandatin liderit të Vetëvendosjes.

Po ashtu, sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se LVV e ka kopjuar modelin me 15 ministri, të cilën e ka hartuar Qeveria Haradinaj

“Albin Kurti, gjatë gjithë fushatës zgjedhore e ka proklamuar para popullit se do të bëjë qeveri me 12 ministri, kurse sot e ka kopjuar në Projektligjin e Qeverisë modelin me 15 ministri të cilin e ka hartuar Qeveria Haradinaj, proces të cilin e kam udhëhequr unë me kolegë të qeverisë. Këtë model e kam prezantuar edhe zyrtarisht më 25 shtator 2019. Sot është dita për të uruar marrëveshjen për Qeverinë e re, por Kryeministri i ardhshëm duhet ta kuptojë se përgjegjësia e fjalës është më e madhe se synimet afatshkurta politike për pushtet”, ka shkruar Tahiri, shkruan Telegrafi.

Reagimet pozitive

Arritjen e marrëveshjes midis LVV-së dhe LDK-së e ka mirëpritur presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, duke thënë se “një qeverisje e qëndrueshme është në interes, jo vetëm të Kosovës, por edhe të gjithë rajonit”.

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj ka thënë se pret që pas formimit të Qeverisë së re të Kosovës, do të nisin bisedimet për “të zhvilluar një program të përbashkët e në të mirë të dy vendeve”.

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka uruar Lëvizjen Vetëvendosje dhe LDK-në për arritjen e marrëveshjes për koalicion.

Berisha përmes një shkrimi në Facebook thotë se marrëveshja e sotme është goditje fatale për “trojkën tradhtar të argatëve të Beogradit në Tiranë dhe Prishtinë dhe përpjekjeve antishqiptare për copëtimin e Kosovës”.

Të hënën votimi i Qeverisë së re

Më 3 shkurt, e hënë, në seancën plenare të thirrur nga i mandatuari për kryeministër, Albin Kurti, pritet të votohet për Qeverinë e ardhshme të Kosovës, të udhëhequr nga LVV-ja dhe LDK-ja.

Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave (61 e më shumë) të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Bazuar në numrin e deputetëve të Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike, shumica prej 61 votave është e pritshme të arrihet, pasi që në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 6 tetor, Vetëvendosje fitoi 29, kurse LDK 28 ulëse në kuvend. Këtij numri i shtohen edhe votat e komuniteteve pakicë, të cilat do të jenë pjesë e qeverisë po ashtu.

Megjithatë, në rast se përbërja e propozuar e qeverisë nga Albin Kurti nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti i Republikës së Kosovës, brenda 10 ditësh emëron kandidatin e ri për kryeministër.

Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet qeveria, atëherë presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Ndryshe, zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor 2019. Ato u nxitën nga një dorëheqje e kryeministrit Ramush Haradinaj, pasi mori ftesë për t’u intervistuar nga Gjykata Speciale në Hagë./gazetaexpress.

@tn.lajmelokale
@tetovanews