Ballina Aktualitet Koronavirus, Çulev paralajmëron masa të reja

Koronavirus, Çulev paralajmëron masa të reja

Ministri teknik i Punëve të Brendshme, Naqe Çulev sot njoftoi se do të propozojë masa shtesë kundër përhapjes së pandemisë së virusit korona.

Ai theksoi gjatë mbrëmjes së djeshme ora policore është respektuar kryesisht nga të gjithë qytetarët.

“Mëngjesin e sotëm në Shtabin koordinativ pranë MPB-së kemi marrë vendim për shtrëngimin e masave. Nëse të njëjtat masa miratohen në Qeveri, do të informojmë publikun”, theksoi ministri Çulev.

Ai njoftoi se gjatë mbrëmjes janë arrestuar 18 persona të cilët nuk kanë respektuar ndalesën për qarkullim prej orës 21:00 deri në ora 06:00.

“Dy persona përveç mosrespektimit të ndalesës për lëvizje, me vete kanë mbajtur armë. Gjithsej janë parashtruar 9 kallëzime penale në bazë të nenit 206 të Kodit Penal. Ministria e Brendshme po ndërmerr aktivitete për të shqyrtuar nëse ka elemente për kallëzim penal në rastet tjera”, tha mes tjerash Çulev.

Policia ka kontrolluar 618 persona me vendim për mbikëqyrje shëndetësore dhe 7,307 persona me vendim për izolim, njoftoi ministri Çulev. Policia ka zbuluar se 22 persona nuk kanë respektuar masën e izolimit.

“Kemi persona që kanë vendim për mbikëqyrjen shëndetësore, nuk kanë respektuar vendimin dhe përveç se është parashtruar akuzë penale, të njëjtit janë dërguar në karantinë shtetërore”, tha Çulev.

@tn.lajmelokale
@tetovanews