Ballina Aktualitet Nga e mërkura qytetarët e Kumanovës, Tetovës dhe Prilepit nuk guxojnë të...

Nga e mërkura qytetarët e Kumanovës, Tetovës dhe Prilepit nuk guxojnë të lëvizin pa maska, në të kundërtën do të gjobiten

Shtabi i Krizës në Kumanovë diskutoi mbi masat e reja të miratuara nga Qeveria këtë fundjavë. Nga e mërkura të gjithë qytetarët që frekuentojnë në hapësirat publike, institucione dhe gjatë orarit të punës obligohen të vendosin maska. Në rast se hasen nga organet e rendit dhe nuk respektojnë masat mbrojtëse, do të gjobiten. Në mbledhjen e Shtabit të Krizës në Kumanovë u kërkua nga Qeveria të sigurohen maska mbrojtëse për qytetarët.

Kërkojmë nga Qeveria të sigurojë sasi të mjaftueshme të maskave mbrojtëse, të cilat do t’iu shpërndahen qytetarëve të Komunës së Kumanovës falas, në pajtim me masat e marra për mbajtjen e tyre të domosdoshme. Kërkojmë nga Qeveria të sigurojë pajisje adekuate me megafon për informim që do të shfrytëzohen për zbatimin e masave të reja”, thuhet në njoftimin e Shtabit të Krizës në Kumanovë – njoftojnë nga Shtabi i Krizës- Kumanovë.

Në këtë mbledhje gjithashtu i është apeluar qytetarëve që të respektojnë masat dhe rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të sillen me përgjegjshmëri. Ndërkohë masa për mbajtjen e domosdoshme të maskave mbrojtëse vlen edhe për qytetin e Tetovës dhe Prilepit, njëjtë sikurse edhe masa kufizuese, përkatësisht ndalohet transporti publik dhe ai i organizuar privat. Policia do të kontrollojë hyrjet dhe daljet e qyteteve për të evituar transportin e organizuar privat dhe publik. Në Tetovë ndalohet transporti publik nga të gjitha komunat e Pollogut dhe Shkupi. Masë shtesë të përgjithshme që ka miratuar Qeveria është edhe ajo për lëvizje në hapësirat publike. Nuk lejohet që të frekuentojnë më shumë se dy persona. Në rast se hasen, policia përmes fotografive do të shqiptojë gjoba për personat të cilët identifikohen se kanë shkelur masat kufizuese për lëvizje në hapësirat publike. Gjithashtu shitoret, markete dhe barnatoret obligohen të sigurojnë pajisje mbrojtëse për të punësuarit, ndërsa për bankat dhe shërbimet në ekspozitura do të vlejë masa për distancë dhe numër të kufizuar të lëvizjes së qytetarëve brenda hapësirave të bankave.

@tn.lajmelokale
@tetovanews