Eksperti i kriminalistikës, Ernin Karamuço mbrëmjen e sotme në një lidhje të drejtpërdrejtë në “Quo Vadis” nën moderimin e Pranvera Borakajt, tha se Shqipëria ende nuk ka grupe të specializuara për të hetuar krimet apo ngjarjet që lidhen me ritet okulte dhe sektet satanike.
Karamuço solli në vëmendje vdekjen e Evgjeni Baxhos në vitin 2021 në trupin e së cilës u gjetën disa simbole të pikturuara me bojë të kuqe. Ekspertët asokohe thanë se shenjat ishin tregues të një rituali satanik të kryer nga një sekt mbi të renë. Fillimisht u raportua se se 23- vjeçarja kishte humbur jetën për shkak të heqjes së një dhëmballe. Por ngjarja ishte më e komplikuar se kaq.
Evgjeni Baxho u gjet e vdekur më 18 maj 2021 në banesën me qira pranë lagjes “Ali Demi” në Tiranë, ndërsa disa ditë më vonë u publikuan fotografi të shenjave të mistershme në trupin e saj, për të cilat policia nuk dha asnjë shpjegim.
Karamuço: Që para dy vitesh ne patëm një rast të një vrasjeje që u dyshua se ishte kryer për shkak të ritualeve okulte, të paidentifilkuara cilës prej filozofive i përkisnin. Që nga ai moment ministria e Brendshme krijoi një grup pune dhe i thashë ky është viti zero. Propozimet që u dhanë nga ai grup pune ishte të parashikohet një vepër në kodin penal, të trajnohen grupe të posaçe në policinë e shtetit për hetimin e këtyre rasteve, kur shkoi policia në vendin e ngjarjes ku humbi jetën ajo vajzë, panë vendin dhe u larguan. Kur panë shenjat në trup u rikthyen. Ne përveç rastit të asaj vajzës kemi dhe video të tjera të zjarreve nëpër varreza, kemi sakrifikime të kafshëve. Na kanë ndodhur rituale me grupe të rinjsh të huaj që vijnë në Shqipëri. Ka pasur sakrifikime të kafshëve. Pas kësaj ende nuk kemi një nen të kodit penal. Nuk kemi specializime, nuk kemi një trupë hetimore që të marrë vesh dhe të lexojë këto gjëra. Këto lloj krimesh hetohen vetëm me ekspert të jashtëm./vizionplus.tv