Dy kompanitë e Elon Musk, startup-i xAI dhe platforma sociale X, kanë ngritur një padi kundër Apple dhe OpenAI, duke i akuzuar se bashkëpunojnë në një “plan antikonkurrues” me qëllim përjashtimin e konkurrentëve në tregun e inteligjencës artificiale.
Padia është paraqitur në Gjykatën Federale të Veriut të Teksasit dhe pohon se Apple dhe OpenAI “kanë bërë një komplot” për të ruajtur dominimin e tyre në tregun e smartfonëve dhe në atë të inteligjencës artificiale gjenerative.
Sipas padisë, Apple akuzohet se qëllimisht po ul renditjen e aplikacioneve të quajtura “super apps” dhe chatbot-e konkurrues, siç është Grok nga xAI, në App Store, duke favorizuar në të njëjtën kohë OpenAI duke integruar ChatGPT në produktet e saj.
“Nëse gjykata nuk ndalon këtë sjellje të paligjshme, ata do të vazhdojnë të pengojnë konkurrencën dhe kompani të tilla si të jona do të vuajnë pasojat e përjashtimit të padrejtë,” thuhet në padi.
Kërcënimi i Musk dhe reagimet
Në fillim të gushtit, Musk paralajmëroi publikisht përmes platformës X se do të ngrejë padi kundër Apple për “shkelje të qarta të ligjit antimonopol”, duke e akuzuar atë se “po vepron në një mënyrë që e bën të pamundur për çdo kompani të inteligjencës artificiale jashtë OpenAI të arrijë në majë të App Store.”
Një përfaqësues i Apple ka deklaruar më parë se App Store është dizajnuar për të qenë “i drejtë dhe i paanshëm”, duke pritur “mijëra aplikacione” që renditen sipas kritereve të shumta.
Megjithatë, përdorues të X kanë vënë në dyshim qëndrimin e Musk, duke kujtuar se aplikacione të tjera të inteligjencës artificiale, si DeepSeek dhe Perplexity, kanë arritur në vendin e parë të App Store në muajt e fundit.















