Ballina Bota Dy të vdekur dhe mbi 200 mijë familje pa energji elektrike nga...

Dy të vdekur dhe mbi 200 mijë familje pa energji elektrike nga stuhia në Suedi dhe Finlandë

Një stuhi e fuqishme ka goditur Skandinavinë dhe Finlandën, duke lënë pas pasoja të rënda. Mbi 200 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa në Suedi janë raportuar dy viktima. Stuhia, e quajtur Johannes, ka përfshirë që nga mëngjesi veriun e Norvegjisë, Suedinë dhe Finlandën, duke arritur herë pas here forcë uragani.

Në Suedi, dy persona humbën jetën si pasojë e rrëzimit të pemëve. Në qytetin Sandviken një burrë vdiq pasi një pemë i ra mbi trup, ndërsa në Härnösand një tjetër humbi jetën pasi u bllokua nën një pemë që u shemb. Sipas autoriteteve suedeze të trafikut, “një numër i jashtëzakonshëm pemësh janë rrëzuar”.

Në disa rajone veriore është shpallur gjendje emergjente. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të mos dalin nga shtëpitë për shkak të rrezikut nga rënia e pemëve dhe këputja e linjave elektrike. Në qytetin Gävle janë aktivizuar edhe sirenat e alarmit – një ngjarje shumë e rrallë për Suedinë.

Rrezik për ekipet e riparimit

Për shkak të dëmtimeve të shumta në rrjetin elektrik, rreth 40 mijë familje në Suedi kanë mbetur pa energji. Gjithashtu janë ndërprerë shumë linja hekurudhore dhe autobusësh, disa ura janë mbyllur për siguri, ndërsa tragetet drejt Gotlandit dhe Eckerö nuk po qarkullojnë.

Sipas kompanisë energjetike EON, rikthimi i energjisë për të gjithë konsumatorët mund të zgjasë deri të hënën, pasi kushtet e motit janë tepër të rrezikshme për ndërhyrjen e ekipeve teknike.

Stuhia shoqërohet me reshje të dendura bore dhe shikueshmëri pothuajse zero. Në autostradën E4, qindra automjete kanë mbetur të bllokuara, ndërsa shumë pemë kanë rënë mbi rrugë, njofton administrata suedeze e rrugëve.

170 mijë familje pa rrymë në Finlandë

Edhe Finlanda është goditur rëndë nga stuhia, e cila atje njihet me emrin Hannes. Rreth 170 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike.

Në Laplandën finlandeze, një avion me mbi 150 pasagjerë u shty nga era dhe përfundoi në një grumbull bore gjatë manovrave në pistë. Një avion më i vogël, me rreth dhjetë persona në bord, pësoi të njëjtin fat. Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar. Si pasojë, i gjithë trafiku ajror në veri të Finlandës është pezulluar.

Dëme edhe në Norvegji

Në Norvegji, rreth 5 mijë persona mbetën pa energji elektrike. Erërat e forta kërcënuan gjithashtu të shkëpusin pllaka të mëdha bakri nga çatia e një kishe në qytetin Lillehammer. Shumë linja tragetesh janë pezulluar dhe disa tunele kanë mbetur pa ndriçim për shkak të ndërprerjeve të energjisë.

Simboli i Krishtlindjes rrëzohet nga stuhia

Në Suedi, stuhia rrëzoi edhe një simbol tradicional të Krishtlindjes – dhinë gjigante prej kashte në qytetin Gävle, e njohur si “Gävlebocken”. Kjo figurë, e vendosur çdo vit në fillim të dhjetorit, zakonisht shkatërrohet nga vandalët përpara Vitit të Ri. Që nga viti 1966, ajo është djegur më shumë se 30 herë.

Këtë vit, dhia i kishte mbijetuar festave, por u rrëzua përfundimisht nga forca e stuhisë.