Një 24-vjeçar është arrestuar në Mississippi pas një serie vrasjesh të ndodhura të premten mbrëma në tre lokacione të ndryshme. Autoritetet identifikuan të dyshuarin si Daricka Moore, i cili do të akuzohet për vrasje kapitale, konfirmoi sherifi i qarkut Clay, Eddie Scott.
Sipas autoriteteve, gjashtë persona, përfshirë një vajzë 7-vjeçare, u vranë nga një sulmues i vetëm. Motivi mbetet i panjohur, por disa nga viktimat ishin të afërm të autorit të dyshuar.
Kronologjia e ngjarjeve
Ora 18:56: Thirrja e parë në 911 raporton persona të qëlluar në Cedar Bluff, një zonë rurale në perëndim të qarkut Clay.
Hetimet tregojnë se Moore fillimisht qëlloi për vdekje babanë e tij Glen Moore (67), xhaxhain Willie Ed Guines (55) dhe vëllanë Quintin Moore (33) në një banesë në David Hill Road. Të tre u gjetën me plumba në kokë.
Moore dyshohet se vodhi një Ford F-150 dhe u drejtua në një shtëpi në Blake Road, ku hyri me forcë dhe tentoi dhunë seksuale i armatosur. Aty qëlloi për vdekje një vajzë 7-vjeçare, gjithashtu e afërme e tij.
Më pas, ai u largua drejt Siloam-Griffin Road, ku policia gjeti dy viktima të tjera, Barry Bradley dhe Samuel Bradley nga Columbus, të dy me plagë vdekjeprurëse në kokë. Njëri prej tyre ishte pastor në një kishë lokale.
Moore u arrestua pa rezistencë nga forca të shumta policore, përfshirë U.S. Marshals, në një kryqëzim rrugësh, teksa dyshohet se drejtonte një mjet të vjedhur nga vendngjarja e fundit.
Sherifi Scott e quajti çështjen “një nga më të vështirat” në 30 vite shërbim dhe tha se ngjarja ka tronditur komunitetin. Prokurori i rrethit, Scott Colom, njoftoi se dënimi me vdekje do të merret në konsideratë. Hetimet vazhdojnë.















