Mesditën e sotme (13 janar) nga spitali i Durrësit është arratisur Altin Ndoci, i arrestuar nga SPAK dhe që njihet si person i rrezikshëm në botën e krimit.
Sipas korrespondentes së Durrësit, Klodiana Haxhiaj Altin Ndoci kishte shkuar në spital për vizita mjekësore në repartin infektiv, ku ishte i shoqëruar nga efektive të policisë së burgjeve.
Po sipas Haxhiajt, Ndoci është arratisur sapo ka mbërritur në dhomën që është e posaçme për të burgosurit, madje është e pajisur me hekura.
Ai ka goditur një punonjës policie dhe më pas është larguar në drejtim të varrezave të qytetit.
“Altin Ndoci është arratisur nga infektivi ku kishte shkuar i shoqëruar nga punonjës policie të burgut të Durrësit. Në momentin kurt është futur në sallën që është me hekura dhe posaçërisht për të dënuarit, ai është larguar me shpejtësi dhe dyshohet se ka qëlluar njërin nga punonjësit të policisë që e shoqëronte dhe është larguar në drejtim të varrezave të qytetit”, tha gazetarja Haxhiaj.
Ndërkohë policia ka ngritur postblloqe për kapjen e personit me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Altin Ndoci dyshohet si një nga autorët e vrasjes së vëllezërve Besnik dhe Viktor Haxhia, ngjarje e ndodhur ne 2020.
“Iku pa nam e nishan”- Arratisja e Altin Ndocit në Durrës, reagon Blushi: Në një narkoregjim është e natyrshme që të zhduken provat dhe vrasësit të fluturojnë!
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar sot duke komentuar me ironi arratisjen e bujshme të Altin Ndocit, armikut të Nuredin Dumanit, nga Infektivi i Spitalit të Durrësit, duke nënvizuar se në një narkoregjim, “provat zhduken natyrshëm dhe vrasësit fluturojnë”.
Nëpërmjet një postimi të shkurtër në rrjetin social Facebook, ai bën analogji me zhdukjen e verës me vlerë 4 mln euro nga bodrumi i ambienteve të Ergys Agasit, që ishte e sekuestruar nga SPAK, por u vodh mistershëm.
“Në narkoregjimin e Edi Ramës u “arratis” pa nam e nishan edhe kantina e tij personale e verës, “Romanée Conti”, që as ecën, as vrapon. Prandaj sot nuk ka asgjë të pazakontë në arratisjen e një killeri të rrezikshëm, i cili jo vetëm ka këmbë, por gëzon edhe mbrojtje shtetërore”, shkruan Blushi në postimin e tij.
Më tej ai ironizon duke thënë se tani është një “vijimësi logjike” gjithçka ndodh në Shqipëri, ku edhe vrasësit fluturojnë.
“Në një narkoregjim, kjo quhet vijimësi logjike: kur zhduken provat që nuk lëvizin, është krejt e natyrshme që vrasësit të fluturojnë”, përfundon ai.
Altin Ndoci u arratis sot (13 janar) në një dinamikë triller dhe mister nga ambientet e Infektivit të Spitalit të Burgut në Durrës, teksa SPAK e akuzon për të paktën 4 vrasje dhe krime të rënda, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Ai ishte dërguar për kontroll për probleme shëndetësore, por teksa kërkoi të kryente nevoja personale në tualet, goditi një nga efektivët dhe iku me vrap.

“E dua të vrarë, por jo nga dora ime”- U arratis nga spitali, çfarë rrëfente Nuredin Dumani për Altin Ndocin: Donte të eliminonte vëllain tim, por…
Altin Ndoci, i cili u arratis sot (13 janar) nga spitali në Durrës është një emër i njohur për autoritetet.
34-vjeçari Ndoci është përmendur edhe nga i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili në dëshminë e tij ka deklaruar se “Altin Ndocin dhe Talo Çelën i ka dashur të vrarë”.
“Pas konfliktit që pata me Talo Çelën dhe Altin Ndocin doja të vriteshin ata, por jo nga dora jonë. Kjo më interesonte, pasi Altin Ndoci deshi të vrasë vëllanë tim, por ju bllokua arma. Unë doja ta ndihmoja të shkonin ata, jo ti vrisja unë. Pasi u takuam vendosa ta ndihmoja”, ka treguar Dumani.
Reagimi i Drejtorisë se Burgjeve për arratisjen
“Paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore. Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit.
Pavarësisht ndërhyrrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali. Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.”, thuhet ne reagim.
Kush eshte Altin Ndoci
I burgosuri në burgun e Durrësit, Altin Ndoci, 34 vjeç, me origjinë nga Puka dhe banues në Tiranë, u arratis sot nga spitali infektiv. Ai njihet për një serie arrestimesh dhe hetimesh për trafik droge, grabitje dhe vrasje në Durrës dhe Fier.
Ndoci u bë i njohur për publikun pas rrëfimit të një bashkëpunëtori të policisë, i cili zbuloi lidhjet e tij në vrasjen e dy vëllezërve Haxhia në Durrës dhe ekzekutimin e dy personave të tjerë më 2 mars 2020, Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdia.
Sipas policisë, Altin Ndoci ka lidhje të ngushta me grupet kriminale të zonës së Pukës dhe është shoqërisht i lidhur me persona të tjerë të njohur për krime të rënda, si Arben Muço, i arrestuar në tentativë grabitjeje me armë në Fier më 2018. Ai dyshohet gjithashtu të ketë marrë pjesë në ngjarje ku mbeti i vrarë Xhuljan Sollaku dhe u plagos Muço, ndërsa pjesëtarët e tjerë të grupit shpëtuan.
Gjatë hetimeve, policia ka sekuestruar prova që lidhen me rrjetin e tij kriminal, duke përfshirë makina të braktisura, gjurmë gishtash dhe njolla gjaku, të cilat lidhën Ndocin me disa nga ngjarjet e dhunshme në qytetet e Durrësit dhe Tiranës.















