Moti i keq me stuhi dhe shi ka prekur edhe Rripin e Gazës. Si pasojë janë përmbytur qindra tenda dhe janë shembur shtëpi ku familjet e zhvendosura nga lufta dyvjeçare kishin gjetur strehim.
Sipas mediave të huaja, raportohet një bilanc me të paktën 6 persona.
Mjekët thanë se pesë persona, përfshirë dy gra dhe një vajzë, vdiqën kur shtëpitë u shembën pranë plazhit në qytetin e Gazës, ndërsa një djalë njëvjeçar vdiq nga hipotermia në një tendë në Deir al-Balah, në Gazën qendrore.
Çadrat u shkëputën nga shtyllat e tyre, disa prej të cilave fluturuan dhjetëra metra përpara se të binin në tokë. Të tjera mbetën të rrënuara në baltë, ndërsa familjet përpiqeshin të shpëtonin atë që mundnin.
Banorët u përpoqën të risiguronin atë që kishte mbetur, duke ngritur kunja dhe duke vendosur thasë me rërë rreth skajeve për të mbajtur larg ujin e shiut.
“Nuk e kuptuam se çfarë po ndodhte derisa muri filloi të shembej, një mur tetë metra i lartë, një mur i fortë betoni. Për shkak të shpejtësisë dhe forcës së erës, muri ra mbi ne, mbi tre tenda”, tha Basel Hamouda, një burrë i zhvendosur në Gaza.
Sipas mediave të huaja, rreth 7,000 tenda ishin dëmtuar në 48 orët e fundit, me shumicën e banorëve të mbetur pa strehim alternativ.















