Ballina Bota Panik në Indi nga një elefant i egër që ka vrarë tashmë...

Panik në Indi nga një elefant i egër që ka vrarë tashmë 22 persona dhe vazhdon të jetë i lirë

Të paktën 22 persona kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve të një elefanti të egër, të ndodhura brenda vetëm nëntë ditësh në shtetin Jharkhand, në lindje të Indisë, sipas autoriteteve, të cilat janë në kërkim të kafshës.

Siç raporton BBC, vdekjet kanë ndodhur mes datave 1 dhe 9 janar në zonat pyjore të Chaibasa-s dhe Kolhan-it, në distriktin West Singhbhum, pjesë e një prej pyjeve më të mëdha në Azi.

Autoritetet indiane kanë njoftuar se është duke u zhvilluar një operacion kërkimi, ku marrin pjesë më shumë se 100 punonjës të shërbimit pyjor, për të lokalizuar elefantin.

“Kjo është një situatë e paprecedentë. Është hera e parë që një model i tillë vdekjesh lidhet me një elefant të vetëm mashkull në këtë rajon”, ka deklaruar zyrtari pyjor rajonal, Kuldeep Meena.

Prioriteti i autoriteteve është gjurmimi, kapja dhe rikthimi i sigurt i kafshës në natyrë.

Zyrtarët e pyjeve bëjnë me dije se elefanti është i ri, i shpejtë dhe ndryshon shpesh vendndodhjen, veçanërisht gjatë natës, gjë që e bën të vështirë gjurmimin e tij. Ekipet kanë përdorur sinjale tradicionale me daulle për të paralajmëruar banorët dhe për t’i këshilluar që të mos dalin apo të mos flenë jashtë gjatë natës.

Shumica e vdekjeve kanë ndodhur gjatë natës, kur banorët e zonës ruanin orizin e magazinuar në fusha dhe hambarë, një praktikë e zakonshme në Indinë rurale.

Sipas Meena-s, një vlerësim paraprak tregon se kafsha mund të jetë në fazën e çiftëzimit, kur elefantët meshkuj shfaqin agresivitet më të lartë për shkak të rritjes së niveleve të testosteronit. Autoritetet theksojnë se ky lloj sjelljeje zakonisht zbutet brenda 15 deri në 20 ditësh.

Gjithashtu, autoritetet dyshojnë se elefanti mund të jetë ndarë nga tufa e tij, çka nënvizon nevojën për ta gjetur dhe për t’i mundësuar ribashkimin me elefantë të tjerë në pyll./TetovaNews