Babë e bir janë vënë në pranga nga policia e Gramshit, pasi për motive të dobëta plagosën rëndë me sende të forta një 34-vjeçar.
Policia njofton se ka arrestuar shtetasin R. D., 51 vjeç, banues në Gramsh, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe R. D., 27 vjeç, banues në Gramsh, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi K. T., 34 vjeç, banues në Gramsh, për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Nga veprimet hetimore dyshohet se mbrëmjen e datës 04.01.2026, shtetasi R. D. dhe djali i tij kanë goditur me grushte dhe me sende të forta, për motive të dobëta, shtetasin K. T., 34 vjeç, i cili është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Në vendin e ngjarjes është gjetur një mjet prerës (thikë), që dyshohet se e posedonte shtetasi K. T. dhe se ai e ka përdorur për të kanosur 27-vjeçarin.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit R. D. iu gjet një send multifunksional, i cili u sekuestrua dhe do t’i nënshtrohet ekspertimit teknik.















