Arabia Saudite ka përgatitur projektin e quajtur “pasaporta e devesë” me qëllim rregullimin e sektorit, dokumentimin dhe rritjen e efikasitetit të shërbimeve.
Autoritetet saudite njoftuan se, në kuadër të zhvillimit të sektorit dhe me synimin për të “rritur besueshmërinë në tregjet vendore dhe ndërkombëtare”, kanë vënë në zbatim projektin e “pasaportës së devesë”.
Sipas një njoftimi nga Ministria e Mjedisit, Ujit dhe Bujqësisë e Arabisë Saudite, prezantimi i projektit u bë nga zëvendësministri Mansur bin Hilal al-Mushaiti. Ministria theksoi se me këtë projekt synohet “rregullimi, dokumentimi i sektorit të deveve dhe rritja e efikasitetit të shërbimeve”.
Në deklaratë u bë e ditur se projekti ka për qëllim dokumentimin e të dhënave të deveve, pronësisë së tyre dhe regjistrit të origjinës (prejardhjes). Po ashtu, synohet që informacionet që lidhen me shëndetin dhe rregulloret zyrtare të mblidhen në një burim të vetëm.
Do të përfshihet edhe prejardhja
U sqarua se dokumenti që do t’u jepet deveve do të ketë karakterin e një “reference zyrtare të miratuar” dhe do të kontribuojë në rritjen e cilësisë së shërbimeve. Në këtë pasaportë do të përfshihen të dhëna si: numri i çipit, numri i pasaportës, emri i devesë, data e lindjes, prejardhja (soji), gjinia, ngjyra, vendi i lindjes, data dhe vendi i lëshimit të dokumentit, si dhe fotografi të kafshës nga profili i djathtë dhe i majtë.
Sipas të dhënave të qershorit 2025, në Arabinë Saudite ndodhen gjithsej 2.235.297 deve.














