Ballina Kronika Sherri për parkimin në Beşiktaş përfundon me vrasje

Sherri për parkimin në Beşiktaş përfundon me vrasje

Një sherr për vend parkimi në Beşiktaş të Stambollit ka përfunduar me vrasje. Një person u qëllua me armë zjarri dhe humbi jetën.

Gjatë konfliktit të nisur për shkak të parkimit të automjetit, një person u qëllua me pistoletë dhe ndërroi jetë, ndërsa i dyshuari u plagos pasi u rrah nga familjarët e viktimës.

Në lagjen Dikilitaş, mes F.T. (70) dhe E.Ş. (67) shpërtheu një debat për çështjen e parkimit. Me përshkallëzimin e debatit, E.Ş. hapi zjarr me armë, duke plagosur F.T.

Pas ngjarjes, familjarët e F.T. që mbërritën në vendin e ngjarjes, rrahën E.Ş. Pas njoftimit, në vendngjarje u dërguan forca policie dhe ekipe të emergjencës.

Ekipet mjekësore transportuan me ambulancë në spital F.T., i cili ishte plagosur me armë zjarri, si dhe E.Ş., i cili ishte rrahur. Pavarësisht ndërhyrjes mjekësore, F.T. ndërroi jetë në spital.

Dy persona të ndaluar nga policia lidhur me rrahjen, nën akuzën “plagosje me dashje”, u liruan nga autoritetet gjyqësore pas përfundimit të procedurave.

Ndërkohë, mësohet se i dyshuari E.Ş. vazhdon trajtimin në spital.

Gjithashtu, momenti kur i dyshuari E.Ş. u rrah nga familjarët e viktimës është filmuar me kamerën e telefonit celular nga një qytetar./tn