Ballina Bota Trump flet për Iranin: Gjëja më e mirë do ishte…

Trump flet për Iranin: Gjëja më e mirë do ishte…

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi të premten se ndryshimi i pushtetit në Iran “do të ishte gjëja më e mirë që mund të ndodhte”, në një kohë kur administrata amerikane po shqyrton mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve ushtarake kundër Teheranit.

Trump i bëri këto komente pak pasi vizitoi trupat amerikane në Karolinën e Veriut dhe pasi konfirmoi më herët gjatë ditës se do të dislokonte një aeroplanmbajtëse shtesë në Lindjen e Mesme, raportoi agjencia e lajmeve Associated Press.

“Duket se kjo do të ishte gjëja më e mirë që mund të ndodhte”, tha Trump gjatë një komunikimi me gazetarët, kur u pyet për përpjekjet për rrëzimin e pushtetit të klerikëve në Iran.

Presidenti ka lënë të kuptohet javët e fundit se prioriteti i tij kryesor mbetet kufizimi i mëtejmë i programit bërthamor iranian, por të premten sugjeroi se ky është vetëm një nga koncesionet që Uashingtoni kërkon nga Teherani.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili këtë javë vizitoi Uashingtonin për bisedime me Trumpin, ka bërë thirrje që çdo marrëveshje të përfshijë edhe hapa për neutralizimin e programit iranian të raketave balistike, si dhe për t’i dhënë fund mbështetjes ndaj grupeve si Hamasi dhe Hezbollahu.