Presidentja Vjosa Osmani ka shpërndan mëngjesin e sotëm Kuvendin, duke bërë që Kosova të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se ka nxjerr dekret për shpërndarje të Kuvendit, meqë sipas saj, përfaqësuesit e vendit “vendosën ta çojnë vendin në zgjedhje”.
“Nëpërmjet këtij dekreti po kryej detyrimin kushtetues i cili është i përcaktuar qartë…Është fatkeqësi e madhe që deputetët nuk zgjodhën interesin e Kosovës”, ka thënë Osmani.
Sipas saj përpjekjet e dështuara të një nate më parë për ta zgjedhur presidentin në Kuvend, nuk ishin as rastësore, as të pamendura.
“Përkundrazi, shumë mirë të kalkuluara dhe ideuara, për fat të keq”, ka shtuar Osmani.
Ajo ka thënë se neni 86 i Kushtetutës përcakton se presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual dhe mandati i saj përfundon më 4 prill.
“Kjo do të thotë se 5 marsi ishte afati i fundit kushtetues që Kuvendi të zgjidhte presidentin e ri. Ky afat ka skaduar mbrëmë në mesnatë. Pra, nuk kemi të bëjmë me një debat publik. Kemi të bëjmë me një fakt të qartë kushtetues. Kushtetuta nuk është shkruar për interpretime që relativizojnë peshën e saj. Ajo është shkruar për të garantuar funksionimin e shtetit, jo zvarritjen dhe mosfunksionimin”, tha Osmani.
Presidentja Osmani i ka bërë këto deklarata pak orë pas përfundimit të afatit për zgjedhjen e presidentit të ri.
Procesi ka dështuar në Kuvend për shkak të mungesës së kuorumit. Kandidatë për president ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, të dy të propozuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
Pas dështimit të procesit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese t’i pezullojë përkohësisht afatet kushtetuese lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kërkoi në mbrëmjen e të enjtes interpretim nga Gjykata Kushtetuese.
“Sapo i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës. Po ashtu, përmes kësaj kërkese, kemi kërkuar që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së Presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit. Lidhur me këtë, e kam njoftuar edhe Presidenten, Vjosa Osmani-Sadriu”, njoftoi kryeparlamentarja.
Për zgjedhjen e presidentit duhet 2/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
“Unë nuk kam marr asnjë njoftim se pse mungojnë deputetët. Kërkoj nga deputetet e kuvendit që nuk janë të pranishëm të vijnë në sallë”, u shpreh Haxhiu.
Teksti i plotë i konferencës për media të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani
6 mars 2026
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, të nderuara media,
jam këtu përpara jush sepse përfaqësuesit e popullit mbrëmë, vendosën që ta dërgojnë vendin në zgjedhje të reja.
Kjo situatë ka qenë plotësisht e evitueshme. Është fatkeqësi madhe për këtë shtet, që ata nuk zgjodhën interesin e republikës së Kosovës.
Prandaj sot, në përputhje me kushtetutën e Republikës së Kosovës, kam nxjerrë dekretin për shpërndarje të kuvendit dhe nëpërmjet këtij dekreti po kryej detyrimin kushtetues, i cili është i përcaktuar qartë.
Në një republikë kushtetuese ka diçka që është mbi kalkulimet partiake dhe mbi interesat e momentit. Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Kushtetuta nuk është tekst ceremonial. Ajo është kontrata jonë e përbashkët si shtet. Është kufiri që politika nuk mund ta kalojë dhe busulla që institucionet nuk mund ta humbasin.
Mbrëmë, përpjekjet për zgjedhjen e një presidenti të ri dështuan, ky dështim nuk ishte as rastësor, as i pamenduar, por përkundrazi, shumë mirë i kalkuluar dhe i ideuar, për fat të keq.
Neni 86 i kushtetutës përcakton se presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Mandati im përfundon me 4 prill 2026, kjo do të thotë se 5 marsi ishte afati i fundit kushtetues që kuvendi të zgjidhte presidentin e ri. Ky afat ka skaduar mbrëmë në mesnatë, pra nuk kemi të bëjmë me një debat politik, kemi të bëjmë me një fakt të qartë kushtetues. Kuvendi i Republikës së Kosovës ka dështuar të përmbushë një nga obligimet e tij themelore kushtetuese.
Kushtetuta nuk është shkruar për interpretime që relativizojnë peshën e saj, ajo është shkruar për ta garantuar funksionimin e shtetit, funksionimin, jo zvarritjet dhe mosfunksionimin, por funksionimin e shtetit dhe kushtetuta është po aq e qartë për pasojat që rrjedhin kur kuvendi dështon të kryejë detyrat e veta, ajo e parashikon qartë se një kuvend që nuk arrin të zgjedhë presidentin nuk mund të vazhdojë pafundësisht të zvarrisë procesin, siç po tentohet, por përballet me një mekanizëm të qartë kushtetues që çon në shpërndarjen e tij.
Për më tepër, neni 82 dhe 86 i kushtetutës duhet të lexohen së bashku, edhe vetë gjykata kushtetuese ka theksuar se normat kushtetuese interpretohen në ndërlidhje me njëra-tjetrën e jo të izoluara. Çfarë do të thotë kjo në praktikë? Do të thotë se procedura për zgjedhjen e presidentit, edhe pse mund të fillojë deri 60 ditë para afatit të fundit, nuk mund të shtyhet më tej, por patjetër duhet të përfundojë, jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual, pra afati përfundimtar është i qartë, ka qenë mbrëmë në mesnatë dhe presidenti nuk mund të zgjedhet pas këtij momenti.
Deputetët e Kuvendit kanë pasur në dispozicion 23 ditë për të kryer këtë detyrë kushtetuese nga momenti i konstituimit të tij, ata vendosën që mos ta bëjnë këtë dhe ky është realiteti institucional me të cilin përballemi sot. Fakti që kuvendi ka zgjedhur të mos i shfrytëzojë ditët që kishte në dispozicion nuk e ndryshon kushtetutën tonë, nuk e shtyn afatin, e mbi të gjitha nuk e zhbën detyrimin tim të qartë kushtetues që ta shpërndajë këtë kuvend i cili dështoi.
Kushtetuta nuk funksionon me logjikën e komoditetit politik. Ajo funksionon me logjikën e përgjegjësisë institucionale dhe asnjë kërkesë për masë të përkohshme në gjykatën kushtetuese nuk e pezullon automatikisht rrjedhjen e afatit kushtetues, vetëm një vendim i gjykatës do të mund ta bënte një gjë të tillë dhe një vendim i gjykatës nuk ekziston deri në këto momente, prandaj sot nuk kemi një situatë të hapur interpretimi, kemi një situatë ku afati kushtetues tashmë ka përfunduar.
Në këto rrethana, gjuha e kushtetutës është detyrueshme. Neni 82 nuk thotë se presidenti mund të zgjedhet deri 30 ditë para afatit, thotë: duhet, duhet të zgjedhet 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, pra kjo nuk është një kompetencë diskrecionare, është një detyrim kushtetues dhe për këtë arsye, në përputhje me nenin 80 dhe nenin 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kam vendosur ta shpërndajë Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe të shpallë zgjedhjet e reja pas konsultimeve, të cilat do t’i mbajmë me partitë politike.
Natyrisht që qytetarët nuk kanë dashur zgjedhje, këtë situatë e ka krijuar dështimi i kuvendit për ta kryer detyrën e tyre kushtetuese, askush nuk do të duhej të dëshironte një cikël tjetër politik, sidomos në këtë moment kur vendi ka nevojë për stabilitet, por këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme.
Alternativa pra, zvarritjet do të krijonin situata shumë të rrezikshme, një vend paqartësie kushtetuese, një proces i zvarritur pafund, siç e kemi parë edhe në tërësi vitin 2025, dhe një shtet që fillon ta relativizojë edhe vetë kushtetutën e tij. Në kohë pasigurish të mëdha në rajon dhe në botë, Kosova nuk mund të përballojë luksin e zvarritjeve të pafunda dhe të legjitimitetit të kontestuar, sepse një shtet nuk dobësohet vetëm nga krizat e jashtme, shpesh dobësohet nga momentet kur institucionet e tij abuzohen për kalkulime të ulëta e në kundërshtim me kushtetutën.
Shteti mbahet në këmbë nga një parim i vetëm, ligji, kushtetuta mbi të gjithë, edhe mbi politikën, edhe mbi krerët e institucioneve, prandaj sot nuk po marr një vendim politik, por po përmbush një detyrim të qartë kushtetues dhe po ua rikthej fjalën atyre që në demokraci kanë gjithmonë fjalën e fundit, qytetarëve të republikës së Kosovës.
Të dashur qytetarë, dua të ndalem gjithashtu tek një debat që ka dominuar dje gjatë ditës. Dje, siç e dini kam dorëzuar në kuvend amandamentet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejtë nga qytetarët. E kuptoj shumë mirë që kjo ka ngritur pyetje. Në një klimë politike të tensionuar çdo veprim shihet me dyshim dhe çdo vendim interpretohet përtej asaj që në fakt mund të jetë e vërtetë. Kjo është natyra e politikës, por dua të jem shumë e qartë me qytetarët e Republikës së Kosovës, këto amandamente nuk do të kishin asnjë efekt për zgjedhjen e presidentit që do të duhej të zgjidhej deri mbrëmë, pra për pasardhësin e menjëhershëm të mandatit tim.
Arsyeja është shumë e thjeshtë: vetë amandamentet, për të gjithë ata që kanë lexuar, parashohin që procedura për zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejtë nga populli duhet të fillojë gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, pra gjashtë muaj më herët, që do të thotë që edhe sikur këto amandamente të miratoheshin mbrëmë, ato nuk do të ndryshonin asgjë sa i përket zgjedhjes së pasardhësit tim, pra deri mbrëmë në mesnatë ka qenë afati për zgjedhjen e pasardhësit tim, do të zgjedhej nga kuvendi dhe tek pas pesë vitesh do të krijohej mundësia për zgjedhje të drejtpërdrejtë nga populli, në qoftë se jam e qartë, pra kjo s’ka të bëjë fare me mandatin tim, sepse mundësia për zgjedhje të drejtpërdrejta nga populli do të krijohej tek pas pesë vitesh sipas këtyre amandamenteve dhe jo tani, pra s’ka pas fare të bëjë me mundësinë që unë të kandidoj në zgjedhje të reja tani dhe kjo është e qartë për këdo që ka lexuar ato amandamente pa syzet e polemikës politike.
Për më tepër është e rëndësishme të thuhet një e vërtetë që shpesh humbet në zhurmën e debatit politik, këto amandamente nuk janë hartuar nga unë, ato janë hartuar nga komisioni kushtetues i vitit 2011 dhe kanë kaluar tashmë vlerësimin e gjykatës kushtetuese, pikërisht për këtë arsye nuk kam pasur mundësi që t’i ndryshoj ato, sepse çdo ndryshim do të nënkuptonte që amandamentet të riktheheshin përsëri në gjykatën kushtetuese, duke zgjatur edhe më shumë një proces që tashmë ka pritur për vite të tëra.
Të nderuar qytetarë, po kthehem sërish te çështja e shpërndarjes së Kuvendit. Arsyeja pse jemi sot këtu nuk është fare dekreti im, sepse dekreti është thjesht një formalitet që vjen pas një fakti tashmë të mirëqenë, fakti është ky, në mesnatë është mbyllur përfundimisht çdo mundësi kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri, kjo nuk është çështje interpretimi, është çështje afatesh kushtetuese dhe këto afate tashmë kanë kaluar, kjo do të thotë se edhe nëse procesi do të vazhdonte tutje, edhe nëse do të pritej, rezultati kushtetues nuk do të ndryshonte, ne tashmë kemi hyrë në një territor shumë të qartë juridik, prandaj pyetja që duhet bërë nuk është nëse do të ketë zgjidhje, pyetja e vetme është sa do të kenë sukses disa që t’i zvarrisin ato, pra pyetja e vetme është kur është data e zgjedhjeve.
Qytetarët nuk kanë nevojë për vonesa të reja, kanë nevojë që të dëgjohet qartë zëri i tyre, ata kanë nevojë po ashtu për qartësi, kanë nevojë për institucione që funksionojnë e jo që janë në funksion të zvarritjeve, kanë nevojë për një politikë që nuk frikësohet nga përgjegjësia.
Jam plotësisht e vetëdijshme dhe e gatshme që ky dekret mund të kontestohet në gjykatën kushtetuese dhe dua ta them hapur, kurrë nuk kam qenë më krenare sesa me këtë vendim, jam shumë më e qetë të përballem me një kontestim për veprim në mbrojtje të kushtetutës sesa për mosveprim kur rrezikohen themelet e saj, sepse në fund të fundit, në një republikë kushtetuese, përgjegjësia më e madhe nuk është të jesh i pëlqyer nga politika e ditës, përgjegjësia më e madhe është të qëndrosh në anën e kushtetutës dhe në anën e interesit të republikës, edhe kur kjo është e vështirë, edhe kur kjo nuk pëlqehet, por shtetet serioze ndërtohen pikërisht mbi këtë parim, ligji mbi të gjithë dhe në këtë rast kushtetuta dhe republika mbi të gjithë.
Dhe sa i përket shpalljes së zgjedhjeve, gjykata jonë kushtetuese tashmë ka praktikë të qartë rreth kësaj, bazuar në dispozitat e kushtetutës, nuk mund të aplikohet afati 60 ditor i përcaktuar në nenin 82 pas afatit të përcaktuar në nenin 86/pika 2 e Kushtetutës. Zgjedhja e presidentit pas afatit 30 ditor është në kundërshtim të qartë me kushtetutën, sepse nëse ky do të ishte qëllimi i normës, do të zhvleftësohej në tërësi afati detyrues kushtetues i përcaktuar në nenin 86/2 dhe do të mundësohej ushtrimi i funksionit të presidentit të republikës nga një ushtrues detyre edhe në rrethana të cilat fare nuk i parasheh kushtetuta.
Por siç e thashë, ka praktikë të qartë të gjykatës kushtetuese, të cilat kanë qartësuar edhe më tej obligimin tim për ta shpërndarë kuvendin në këtë rast. Aktgjykimi 72/20, trajton në detaje kompetencën e presidentit edhe në rrethana në të cilat i njëjti ka për detyrë ose diskrecion shpërndarjen e Kuvendit. Rrethanat e rastit specifik ndërlidhen me interpretimin e nenit 82 pika 2 të kushtetutës, pra shpërndarjen e Kuvendit pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të qeverisë, por megjithatë, aktgjykimi trajton edhe rrethanat e tjera dhe në paragrafët 384 deri 386, thekson se, kushtetuta parasheh që nëse Kuvendi nuk arrin të kryejë detyrime të rëndësishme kushtetuese për të zgjedhur presidentin e Republikës, atëherë Kuvendi duhet, duhet të shpërndahet me qëllim të krijimit të një kuvendi të ri që do të mund të kryejë këto detyra të rëndësishme kushtetuese pas zgjedhjeve të reja të parakohshme, pra jo vetëm kushtetuta, por edhe gjykata kushtetuese në praktikën e mëhershme ka qenë jashtëzakonisht e qartë rreth kësaj. Ka edhe aktgjykime të tjera të cilat mbështesin këtë.
Për dallim, natyrisht se rrethanat e afateve kushtetuese, për zgjedhjen e presidentit janë edhe më të qarta sesa ato për zgjedhjen e qeverisë, dhe siç e përmenda më herët, këto tashmë kanë kristalizuar detyrimin tim kushtetues për të shpërndarë Kuvendin.
Në fund, rasti i dërguar në Gjykatën kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk paraqet pengesë për nxjerrjen e dekretit për shpërndarjen e Kuvendit, për aq sa gjykata nuk ka vendosur masë pezulluese dhe siç e thashë deri në këto momente, nuk ka një masë të tillë nga ana e gjykatës. Po ashtu ekziston një praktikë, e cila nuk e pengon shpërndarjen e Kuvendit edhe në rast të shqyrtimit të kërkesave të palës që ndërlidhen pikërisht me konstituimin e Kuvendit, pra ne kemi pasur qysh vitin e kaluar raste kur palë nga kuvendi e kontestonin faktin se a është konstituar kuvendi, por ne kemi vazhduar me shpërndarje të kuvendit, me shpallje të zgjedhjeve, me organizim të zgjedhjeve të reja dhe të gjitha kanë përfunduar, pra kjo është aspekti kushtetues, siç e thashë edhe më herët, arsyeja pse sot jam detyruar që ta shpërndaj Kuvendin, po e përsëris detyruar, që ta shpërndaj Kuvendin, është sepse përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën që ta dërgojnë vendin në zgjedhje të reja.
Dhe në fund i bëj thirrje Gjykatës kushtetuese që ta trajtojë çdo çështje që ka të bëjë me atë që mund të paraqitet edhe në të ardhmen rreth kësaj teme me urgjencë, duke ditur se sa të rëndësishme janë qartësitë kushtetuese, duke mos lejuar assesi që qëllimet për zvarritje të dominojnë mbi interesin e Republikës së Kosovës dhe në asnjë moment të mos lejojnë asnjë presion, i cili do të mund ta ndryshonte interpretimin vetëm e vetëm në përputhje me kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Si presidente e Republikës së Kosovës në asnjë moment, sikurse dhe në të kaluarën, as nuk kam, as nuk do të ndërhyjë dhe do ta mbrojë çdo institucion të pavarur nga ndërhyrje që mund të tentohen për të ndryshuar një vendim që interpreton kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Pra, siç e thashë, edhe në qoftë se dikush e dërgon këtë dekret në gjykatën kushtetuese, unë do të përballem qartë në mbrojtje të këtij akti, në mbrojtje të këtij dekreti i cili është detyrim, mos nxjerrja e këtij dekreti mua do të më vendoste në shkelje të qartë të kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe këtë nuk e kam ndërmend ta bëj.
Ju faleminderit, ju lus për mirëkuptim, meqënëse, po natyrisht, menjëherë sot do të ftohen liderët e partive për datën e zgjedhjeve, sepse siç e dini, është obligim që të konsultohen paraprakisht dhe është e domosdoshme menjëherë pas shpërndarjes së Kuvendit, që të shpallen edhe zgjedhjet e reja, por paraprakisht duhet një konsultim formal me partitë politike dhe menjëherë pas kësaj do të caktohet data.
Dhe unë do të kem mundësi t’ju përgjigjem të gjitha pyetjeve edhe pasdite, pra ju lus për mirëkuptim që për çdo çështje tjetër, përfshi edhe për këto që sapo i thashë, të ulemi edhe njëherë dhe të diskutojmë më gjatë, ku do të kemi mundësi edhe t’ju përgjigjem interesimit tuaj, por meqënëse jemi duke nisur për Prekaz, shpresoj për mirëkuptim për momentin.
Ju faleminderit shumë, faleminderit shumë.















