Trupi i disidentes ruse Nina Mihajllovna Litvinova është gjetur të mërkurën në një rrugë në qendër të Moskës. Mediat shtetërore ruse, duke iu referuar burimeve policore, raportojnë se bëhet fjalë për vetëvrasje, ndërsa 80-vjeçarja thuhet se ka lënë një letër lamtumire.
Litvinova ishte motra e disidentit të njohur Pavel Litvinov dhe mbesa e Maksim Litvinov, ish-zyrtar sovjetik dhe ambasador në Shtetet e Bashkuara në vitet ’30 dhe ’40.
Kushërira e saj, Maria Slonim, publikoi në Facebook një fragment të letrës së Litvinovës, duke kritikuar mediat ruse për mosshpalosjen e motiveve të saj. Ajo fajësoi presidentin rus Vladimir Putin për vdekjen e kushërirës së saj.
Lufta në Ukrainë
“Nga momenti që Putini pushtoi Ukrainën dhe po vret njerëz të pafajshëm, ndërsa në vendin tonë po fut pa fund mijëra njerëz në burg, ku ata vuajnë dhe vdesin vetëm pse, si unë, janë kundër luftës dhe vrasjes”, thuhet në fragmentin e letrës së Litvinovës.
Ajo përshkruan se kishte arritur në fund të forcave të saj.
“Jam përpjekur t’i ndihmoj, por forcat e mia janë shteruar dhe vuaj ditë e natë nga pafuqia ime”, citohet të ketë shkruar ajo.
Mbështetëse e të burgosurve politikë
Nga vitet ’60 deri në vitet ’80, Litvinova mbështeti të burgosurit politikë në Bashkimin Sovjetik, ndërsa pas vitit 2000 vazhdoi aktivitetin e saj edhe në Rusi, shkruan organizata e të drejtave të njeriut Memorial.
Në vitet e fundit, ajo kishte marrë pjesë në proceset gjyqësore ndaj historianit Yuri Dmitriev dhe aktivistit të të drejtave të njeriut dhe drejtuesit të Memorialit, Oleg Orlov.
Sipas Memorialit, Litvinova kishte ndihmuar edhe shumë disidentë të panjohur.
“Nina Mihajllovna gjithmonë qëndroi në hijen e vëllait, gjyshit dhe të afërmve të saj më të njohur disidentë. Por kjo mbështetje e heshtur dhe pothuajse e padukshme për të përndjekurit ishte një strategji e menduar me kujdes”, shkruan organizata.















