Kryeministri Rama thotë se projekti në Zvërnec, ndaj të cilit është protestuar gjatë fundjavës, ka nisur si interesim nga investitorët para 3 vitesh. Ai thotë se për Sazanin, qeveria shqiptare ka shprehur qëndrimin se është tokë shtetërore dhe ka kërkuar të jetë ortake në këtë projekt.
Për Zvërnecin, thotë Rama, investitorëve u është bërë e qartë se është tokë private. Ai tha se projekti është në zë e vëmendje të të gjithë botës për shkak të Jared Kushner dhe mediat përpiqen të gjejnë ‘gjilpërën në kashtë.’
“Projekti ka nisur si interesim nga ana e investitorëve në vitin 2023 dhe ka nisur si interesim bashkë me Sazanin. Qëndrimi ynë që në ditën e parë ka qenë: Sazani është tokë publike. Ka qenë dëshirë dhe ambicie e kahershme e qeverive të tjera për ta kthyer në destinacion turistik. Ne jemi të gatshëm të punojmë me ju dhe kini parasysh që ajo tokë nuk shitet. Ne duam që shteti shqiptar të jetë palë, ortak, qeveria e kryeministrit tuaj që e keni votuar dhe sot, duke iu bashkuar zemëratës, e konsideroni shitës dhe të korruptuar. Shitësit dhe të korruptuarit bënin Shqipërinë 1 euro dhe merrnin pjesën, nuk ia jepnin shtetit. Për projektin e Zvërnecit, duhet të shikoni pronat dhe pronarët pasi nuk kemi tokë-shtet aty dhe copëza që mund të jenë shtet janë krejtësisht të papërfillshme për ambicien tuaj, kështu që merruni me pronarët. Ky është fillimi i 2023. Ju e dini shumë mirë kush janë njerëzit e interesuar se e di gjithë bota. Bota mbarë flet për këtë projekt për shkak të njeriut që ka promovuar projektin, Jared Kushner. Bota ka hesape për të larë dhe luftërat e veta për të bërë, prandaj ka dalë në të gjitha mediat, por me axhendë, jo për të informuar popullin sesa shumë po zhvillohet Shqipëria, por për të gjetur gjilpërën në kashtë”, tha Rama.

Në sqarimin e tij lidhur me situatën në Zvërnec, Rama tha se ka duruar çdo sulm për shkak të vizionit që ka për Shqipërinë. Kryeministri u shpreh se pa këtë vizion, nuk i nevojiten karrigia e pushteti. Ai tha se investimi në Zvërnec me vlerë prej 4 miliardë eurosh, është një prej investimeve që synon ta vendosë Shqipërinë në ligën e kampionëve të turizmit.
“I kam duruar dhe i duroj pikërisht sepse këtë mision e mbaj ende përsipër edhe në emër të shumëkujt nga ju që më ka besuar votën dhe sot i është bashkuar zemratës në rrjete sociale duke më treguar me gisht si prurësin e një fatkeqësie të madhe. Ç’më duhet karrigia, pushteti nëse duhet të heq dorë nga vizioni që kam ndarë me ju gjithë këto vite? Heq dorë nga ambicia për ta bërë Shqipërinë një vend që mos të ketë zili askënd, për çfarë më duhet pushteti dhe karrigia? Që të qetësoheni ju, që të vazhdoni jetën siç është e natyrshme dhe pasnesër, në vend të atij investimi të jashtëzakonshëm atje, të bëhet copëtimi, Golemi i radhës? Ju do të rroni më shumë se unë dhe do të shikoni se aftësia dhe kuraja për ta kthyer Shqipërinë te Golemi është e gjallë dhe e gatshme po t’i bjerë prapë në dorë Shqipëria. Heq dorë nga vizioni dhe ambicia për ta bërë Shqipërinë një vend që s’ka frikë të hyjë në ligën e kampionëve të turizmit global dhe të rri në karrige me një vend që trembet nga sfidat e mëdha? Shqipëria s’është më ajo ku nuk afrohej asnjë investitor, është ajo ku duan të vijnë, është Shqipëria e 12 milionë turistëve. Do të hyjë tani në elitën e investimeve që sjellin konsumatorë që i lënë paratë këtu. Një vend që nuk ka frikë nga një investim i jashtëzakonshëm, si ky ku partnerë janë bërë bashkë për të investuar 4 miliardë euro”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur mbledhjen e grupit parlamentar të PS, për të folur në lidhje me projektin në Zvërnec dhe për dhunën e ushtruar ndaj protestuesve.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë pati akuza ndaj Policisë së Vlorës, që sipas tij, nuk reaguan për të mbrojtur qytetarët nga rojet private.
“Dua ta nis me një mesazh të drejtpërdrejtë për të gjithë ata që janë revoltuar dhe janë rreshtuar edhe kundër meje personalisht pasi panë aktin e neveritshëm kundër njërit prej protestuesve në Zvërnec. Ju kam dëgjuar e lexuar, ju kuptoj shumë mirë, ju siguroj që në vendi tuaj edhe unë po njësoj do të revoltohesha dhe do të rreshtohesha kundër qeverisë dhe kryeministrit, sidomos, sepse do të më dukej e tmerrshme që disa roje private sigurie në sytë e policisë së shtetit tim, pas një gardhi me tela me gjemba, të ulërinin si kafshë dhe të merrnin nga jashtë brenda një njeri në të drejtën e vet, ta tërhiqnin zvarrë nëpër plazhin e rrethuar dhe pastaj policia të thoshte që i zvarrituri u fut vetë në pronën private dhe ta relativizonte dhunën, ndërkohë që duhet t’i kishte arrestuar aty në vend ata që e morën zvarrë protestuesin”, tha Rama.















