Ballina Aktualitet AHMETI TAKON NICOLE VARNES: SHBA-JA KA ROL TË PAZËVENDËSUESHËM SI PARTNER STRATEGJIK

AHMETI TAKON NICOLE VARNES: SHBA-JA KA ROL TË PAZËVENDËSUESHËM SI PARTNER STRATEGJIK

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka zhvilluar sot një takim me Ushtruesen e Detyrës së Ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Nicole Varnes.

Takimi është zhvilluar në selinë e BDI-së në Tetovë, ndërsa është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Maqedoninë e Veriut, forcimin e institucioneve demokratike dhe partneritetin ndërmjet vendit dhe Shteteve të Bashkuara.

Ahmeti bëri të ditur se e ka falënderuar Varnes për angazhimin e saj të përkushtuar dhe konstruktiv, si dhe për kontributin në forcimin e partneritetit ndërmjet SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut.

“Në një atmosferë të hapur dhe konstruktive, shkëmbyem mendime për zhvillimet aktuale politike në vend dhe rëndësinë e forcimit të institucioneve demokratike”, deklaroi Ahmeti.

Kreu i BDI-së theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë një rol të pazëvendësueshëm si partner strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe si kontribuues kyç për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Publicitet

Sipas tij, mbështetja amerikane ka qenë vendimtare për arritjen e Marrëveshjes Paqësore të Ohrit dhe vazhdon të jetë thelbësore për ruajtjen e frymës së saj, avancimin e barazisë dhe forcimin e kohezionit shoqëror.

Ahmeti tha se gjatë takimit ka rikonfirmuar përkushtimin ndaj partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara, zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe orientimit evropian të vendit.

“Dialogu i vazhdueshëm me partnerët tanë ndërkombëtarë mbetet jetik për ndërtimin e një Maqedonie të Veriut demokratike, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, ku të gjithë qytetarët gëzojnë të drejta dhe mundësi të barabarta”, shkroi Ahmeti pas takimit.