Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur dyshime mbi mënyrën se si u krye arrestimi i Ergys Agasit, duke pretenduar se pas operacionit mund të ketë pasur një marrëveshje paraprake.
Në konferencën e sotme me gazetarët, Berisha renditi disa rrethana që, sipas tij, ngrenë pikëpyetje mbi versionin zyrtar të arrestimit. Ai iu referua edhe informacioneve të publikuara nga një “qytetar dixhital”, duke pretenduar se Agasi kishte zhvilluar një takim me Taulant Ballën pak para arrestimit.
Sipas Berishës, takimi dyshohet se është zhvilluar të dielën në një lokal në Elbasan, ndërsa ai e cilësoi Ballën si personin që mund të ketë ndërmjetësuar në emër të kryeministrit Edi Rama. Berisha theksoi se nuk mund ta konfirmojë këtë pretendim, por kërkoi që informacioni të verifikohet.
Një tjetër element që, sipas tij, ngre dyshime është mënyra e kapjes së Agasit. Berisha tha se, ndonëse ai njihet si pronar i automjeteve luksoze dhe të blinduara, u arrestua pranë banesës së tij teksa ndodhej në një automjet të zakonshëm, me një efektiv policie në drejtimin e mjetit.
“Agasi në aparencë ishte në kërkim, por de facto ishte i lirë, lëvizte kudo, me shoqërues”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së e krahasoi situatën me rastin e Klement Balilit, duke ngritur pyetjen se përse Agasi ndodhej në një automjet të thjeshtë dhe nën drejtimin e një polici në momentin e arrestimit.
“Janë disa elementë që, po t’i lidhësh bashkë, flasin për një arrestim të negociuar”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se pretendimet për takimin me Ballën dhe rrethanat e arrestimit duhet të verifikohen përmes një hetimi të plotë, ndërsa e la të hapur mundësinë që takimi i pretenduar të ketë pasur lidhje me mënyrën e dorëzimit të Agasit.
Berisha: “A mori përsipër Taulant Balla negociatat në emër të Ramës?! Nuk mund ta them, por qytetari dixhital thotë se është takuar me të”.
Pretendimet e ngritura nga Berisha janë akuza politike dhe mbeten për t’u verifikuar nga autoritetet përkatëse.















