Një ndërprerje e pjesshme e rrjetit celular për 30 minuta dhe miliona banorë pa mundësi për të parë video, fotografi apo për të bërë videothirrje nga telefonat e tyre. Të hënën, më 10 gusht, Tajvani testoi për herë të parë në shkallë të gjerë një operacion që synonte të simulonte një sulm ajror kinez, në kuadër të stërvitjes së përvitshme të mbrojtjes civile të përgatitur nga autoritetet tajvaneze.
I organizuar në 14 qytete dhe komitete në data të ndryshme, testi nisi në Taichung, një qytet në qendër të Tajvanit me afro tre milionë banorë. Në orën 14:30 nisën të bien sirenat, duke u bërë thirrje qytetarëve të strehoheshin në dyqane, qendra tregtare, stacione ose në shtëpitë e tyre.
Pak më vonë, banorët morën një mesazh në telefon, ku njoftoheshin se “qasja në rrjetin celular do të ndërpritej” dhe këshilloheshin të përdornin në radhë të parë rrjetet Wi-Fi brenda ndërtesave.
Me këtë simulim në përmasa reale, objektivi i qeverisë është të mendojë se si ishulli mund të vazhdojë të funksionojë në rast se komunikimet e tij me pjesën tjetër të botës do të ndërpriteshin rëndë.
Nën udhëheqjen e Xi Jinpingut, Pekini ka fuqizuar ndjeshëm flotën e tij të anijeve luftarake, anijeve zbarkuese dhe arsenalin e raketave, të gjitha mjete që mund të përdoren për të mbështetur një pushtim të Tajvanit.
Edhe pse Xi Jinping thotë se dëshiron të arrijë një ribashkim paqësor me ishullin, ai refuzon të përjashtojë përdorimin e forcës.
Në Tajvan, autoritetet kanë deklaruar gjithashtu se anije tregtare të lidhura me Kinën kanë sabotuar kabllo që lidhin ishullin kryesor me disa ishuj periferikë. Një ndërprerje më e gjerë e komunikimeve mund të çorganizonte rëndë gjithë ishullin dhe të shkaktonte panik në popullatë.
Evakuimi i presidentit
“Tajvani nuk mund të jetë shumë i dobët, duhet të jetë pak më i fortë. Sepse në këtë mënyrë njerëzit nuk do të na konsiderojnë si një vend të vogël që mund ta aneksojnë ose ta frikësojnë”, deklaroi për The New York Times Huang Chiung-chu, një banore e Tajvanit, e cila mendon se “Kina përfaqëson një kërcënim jashtëzakonisht serioz”.
“Mendoj se kjo stërvitje është absolutisht e nevojshme. Në ditët e sotme ne jemi të gjithë jashtëzakonisht të varur nga telefonat tanë. Në rast lufte apo diçkaje tjetër, ata mund të përdorin realisht luftën kibernetike ose të ndërpresin komunikimet”, shtoi Yu Chun-hsuan, një studente e stomatologjisë.
Që të mërkurën, më 5 gusht, policia ushtarake tajvaneze kishte simuluar evakuimin e Lai Ching-te, presidentit, në kuadër të një skenari në të cilin forcat kineze do të tentonin të kryenin një operacion për “prerjen e kokës” së pushtetit, pra eliminimin e tij.
Pamjet e transmetuara në televizion tregonin ushtarë duke e shoqëruar presidentin jashtë pallatit presidencial, përpara se ta hipnin në një kolonë automjetesh të blinduara.
Konvoji e kishte transportuar me shpejtësi nëpër rrugë të boshatisura deri në një qendër komanduese nëntokësore.
“Një pjesë e stërvitjes së përvitshme ushtarake duket se synon të sigurojë popullsinë mbi aftësinë e ishullit për t’u mbrojtur”, analizon gazeta amerikane.
“Kostoja e një stërvitjeje të tillë nuk është aq e lartë dhe, nëse realisht do të gjendeshim në një situatë lufte, atëherë do të isha pak më e përgatitur për ta përballuar”, pohon Liao Mei-hsiu, një fermere që rrit derra dhe që ndodhej në zonën e restoranteve të Taichungut gjatë stërvitjes, së bashku me bashkëshortin dhe vajzën e saj.
Më vonë të hënën, bashkia njoftoi se stërvitja kishte përfunduar pa probleme dhe se telefonatat drejt shërbimeve të urgjencës dhe të shpëtimit nuk ishin ndërprerë./L’Express















