Ballina Aktualitet Zjarret përfshijnë disa zona të Shqipërisë, ja bilanci i fundit nga Ministria...

Zjarret përfshijnë disa zona të Shqipërisë, ja bilanci i fundit nga Ministria e Mbrojtjes

Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar të dhënat mbi situatën e zjarreve në vend.

Sipas njoftimit zyrtar, që përmbledh të dhënat e plota deri më 31 gusht, në orën 14:00, në territorin e vendit janë raportuar 10 vatra zjarri. Prej tyre, 5 mbeten aktive, 4 janë nën mbikëqyrje, ndërsa 1 është shuar plotësisht.

Situata paraqitet më e angazhuar në qarkun Dibër, ku aktive mbeten vatrat në Vajkal, Lundre, Ballenjë dhe në brezin Bershi–Kurdari–Patinë.

Në Lundre, për shkak të erës dhe sipërfaqes së konsiderueshme pyjore, janë angazhuar edhe 20 forca ushtarake dhe 1 helikopter i Forcës Ajrore; aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Vajkal janë angazhuar 20 forca MZSH dhe 20 efektivë të FA, ndërsa në Ballenjë zjarri vijon në një sipërfaqe pyjore brenda zonës së mbrojtur.

Në Dajt, në drejtim të Qafë-Priskës, vijon operacioni për shuarjen e zjarrit, me angazhimin e 15 forcave zjarrfikëse, 9 forcave të AdZM dhe 20 efektivëve të FA, pa rrezik për zonat e banuara.

Në Korçë, vatra në Qafën e Lugut është nën kontroll.

Publicitet

Në Elbasan, zjarri në malin e Dardhës është shuar plotësisht, ndërsa në malin e Qukësit vijon mbikëqyrja.

Në mbështetje të operacioneve janë angazhuar në total edhe 70 forca ushtarake dhe 1 helikopter i Forcës Ajrore. Situata vijon të monitorohet, ndërsa sipas raportimit nuk evidentohen zona të banuara në rrezik.