Ballina Bota 20 të arrestuar në hetimin ndaj organizatës së Alihan Kuriş

20 të arrestuar në hetimin ndaj organizatës së Alihan Kuriş

Njëzet nga 25 të dyshuarit e ndaluar në kuadër të hetimit ndaj organizatës kriminale të Alihan Kuriş janë arrestuar me vendim gjykate. Për pesë të dyshuarit e tjerë është vendosur masa e kontrollit gjyqësor.

Ka zhvillime të reja në hetimin e Prokurorisë së Përgjithshme të Ankarasë ndaj organizatës kriminale të Alihan Kuriş, e cila dyshohet se është krijuar për përfitime financiare.

Njëzet e pesë të dyshuarit, të ndaluar gjatë valës së katërt të operacionit të zhvilluar më 20 shtator, pas përfundimit të procedurave në polici u dërguan në organet e drejtësisë.

Pas marrjes në pyetje nga prokuroria, për 22 prej tyre u kërkua arrestimi, ndërsa për tre të tjerë u kërkua vendosja e masës së kontrollit gjyqësor.

Gjykata vendosi arrestimin e 20 të dyshuarve, ndërsa ndaj pesë të tjerëve caktoi masën e kontrollit gjyqësor.

Hetimi ndaj organizatës po zhvillohet për dyshime për korrupsion, pastrim parash dhe krijimin e lëvizjeve të pazakonta të parave përmes kompanive me kapital të madh.

Çfarë dihet për hetimin

Ministri i Drejtësisë, Akın Gürlek, dhe ministri i Brendshëm, Mustafa Çiftçi, kishin theksuar se hetimi nuk lidhet me veprimtari fetare.

Video bonus

Edhe Prokuroria e Përgjithshme kishte bërë të ditur se hetimi po zhvillohej mbi bazën e transaksioneve të dyshimta financiare.

Janë identifikuar 32 kompani që dyshohet se kanë lidhje financiare dhe tregtare me strukturën e cilësuar nga autoritetet si organizatë kriminale.

Mes tyre janë Armine Giyim, Ayakkabı Dünyası dhe Verona Ev Tekstil, si dhe kompani të tjera që ushtrojnë veprimtari në sektorë të ndryshëm, nga ndërtimi dhe industria ushqimore deri te argjendaria, transporti detar dhe arsimi.

Gjithashtu pretendohet se jashtë vendit janë transferuar shuma të mëdha parash. Sipas hetimeve të MASAK-ut, është konstatuar se më shumë se 100 miliardë lira turke janë nxjerrë jashtë vendit përmes metodave të ndryshme.

Vala e parë e operacionit

Në kuadër të hetimit ndaj organizatës së Alihan Kuriş, ishte kërkuar arrestimi i Kuriş dhe i 32 të dyshuarve të tjerë të ndaluar gjatë operacionit.

Të dyshuarit e ndaluar në kuadër të hetimit u dërguan në gjykatë mëngjesin e 16 gushtit. Gjykata vendosi arrestimin e 32 prej 38 të dyshuarve, mes tyre edhe Alihan Kuriş.

Vala e dytë e operacionit

Në valën e dytë të operacioneve, të zhvilluara në Stamboll, Konya, Mersin dhe Muğla, u ndaluan edhe 12 të dyshuar.

Mes personave të ndaluar kishte edhe disa emra që tërhoqën vëmendjen. Osman S., i cili dyshohet se kishte ngritur sistemin për administrimin e llogarive financiare, administrative dhe të bilanceve të drejtuesve të lartë të organizatës, ishte mes të ndaluarve.

Gjithashtu u ndaluan İsa A. dhe Taner Ç., njëri prej të cilëve ishte anëtar i bordit drejtues të një spitali.

Vala e tretë e operacionit

Në bazë të provave dhe të dhënave të siguruara gjatë dy valëve të para, Prokuroria e Përgjithshme e Ankarasë zhvilloi edhe një operacion të tretë.

Në këtë fazë u lëshuan urdhra ndalimi për 54 të dyshuar. Gjithashtu u vendos që 11 kompani dhe tri shoqata të kalonin nën administrimin e kujdestarëve të emëruar nga autoritetet.

Vala e katërt e operacionit

Në valën e katërt të operacionit kundër organizatës së Alihan Kuriş u lëshuan urdhra ndalimi për 30 persona, ndërsa 23 kompani kaluan nën administrimin e kujdestarëve të emëruar nga autoritetet.

Në dosjen e hetimit janë përfshirë gjithashtu pretendime se organizata ishte përpjekur të ndikonte në proceset zgjedhore./NTV