Albulena Haxhiu është rizgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës, duke marrë drejtimin e legjislaturës së 11-të, të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit.
Në votimin e zhvilluar në seancën konstituive, Haxhiu mori 62 vota për, ndërsa 16 deputetë votuan kundër dhe 13 abstenuan.
Haxhiu ka qenë kryetare e Kuvendit edhe në legjislaturën e kaluar dhe aktualisht është edhe ushtruese e detyrës së Presidentes së Kosovës.
Pas zgjedhjes së saj, seanca konstituive ka shkuar në një pauzë 30-minutëshe, pasi partitë nuk kanë arritur marrëveshje për mënyrën se si do të votohen nënkryetarët e Kuvendit.
Sipas raportimeve nga seanca, një nga propozimet është që të gjithë kandidatët për nënkryetarë të votohen në një pako, por për këtë mënyrë votimi ka pasur rezerva nga disa prej partive.
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Ardian Golën për nënkryetar, PDK-ja Vlora Çitakun, ndërsa LDK-ja Kujtim Shalën. Nga komuniteti serb është propozuar Sllavko Simiq, ndërsa nga komunitetet e tjera Emilija Rexhepi.
Haxhiu ka kërkuar gjithashtu që propozimi i Listës Serbe për nënkryetarin të dorëzohet me shkrim dhe që administrata e Kuvendit të sqarojë nëse forma e propozimit është në përputhje me Kushtetutën.
Kuvendi i Kosovës nuk konsiderohet ende i konstituuar, pasi për përfundimin e procesit duhet të zgjidhen edhe pesë nënkryetarët e tij.















